Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka publikuar mbrëmë një infografikë që paraqet raportin e ‘World Justice Project’ e ku vendi ynë renditet i pari në rajon dhe i dyti në botë për përmirësim në sundimin e ligjit, raporton Gazeta Sinjali.
Përmes një postimi në rrjetin social Twitter, Kurti është shprehur se ky është konfirmim i pavarur se reformat e qeverisjes së tij po funksionojnë.
“Këtë vit, Projekti i Drejtësisë Botërore (World Justice Project) e ka renditur përsëri Republikën e Kosovës në vendin e parë në Ballkanin Perëndimor për nga sundimi i ligjit. Ai gjithashtu e ka renditur Kosovën në vendin e dytë në mbarë botën për përmirësimin më të madh në sundimin e ligjit gjatë vitit të kaluar. Konfirmim i pavarur se reformat tona po funksionojnë dhe atë shpejtësi”, ka shkruar kryeministri.
Në Indeksin vjetor të Sundimit të Ligjit “World Justice Project”, i publikuar të mërkurën, Kosova radhitet si shteti i dytë në botë për përmirësim në fushën e sundimit të ligjit për vitin 2022.