Eurodeputeti austriak, Lukas Mandl, ka folur sot në Parlamentin Evropian ku do të diskutohet Raporti për Kosovën.
Mandl ka thënë se të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor janë të rëndësishme për të ardhmen e Evropës, por që ai do të flasë vetëm për Kosovën.
Eurodeputeti tha se Kosova ka paguar me gjak lirinë dhe se Evropa e SHBA-ja e kanë ndihmuar ta fitojë edhe pavarësinë. Austriaku tutje thotë se Kosova është bërë një vend demokratik ku sundon ligji dhe ku ka një Kushtetutë mjaftë të fuqishme.
“Të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor janë të rëndësishme për të ardhmen e Evropës. Por sot do të flasim për raportin për Kosovën. Kosova ka paguar me gjak për lirinë e saj. BE dhe SHBA kanë ndihmuar vendin që të fitojë pavarësinë. Ky vend është bërë demokratik ka sundim të ligjit. Është një demokraci e qëndrueshme dhe vend divers. Po sundimi i ligjit duhet të përmirësohet, por ata kanë një Kushtetutë të fuqishme”, tha Mandl.
Austriaku ka thënë se premtimi për viza për Kosovën nuk është mbajtur dhe se mesazhi që do të përçojë sot Parlamenti Evropian do të jetë shumë i rëndësishëm.