Nga mbledhja e partisë së tij, kryeministri Albin Kurti tha se Qeveria e tij iu ka dhënë qytetarëve arsye jo vetëm që të mos largohen nga vendi, por edhe mërgimtarëve për t’u kthyer e për të jetuar në Kosovë.
Kurti tha se në qeveri “shumë punë e angazhim gjatë këtyre ende më pak se 4 vjet është bërë”.
Ai tha se punuan shumë e mençur “për sukseset të cilat kanë dalë në dritë tek sivjet”.
“Tash kemi rritje ekonomike dhe stabilitet institucional, progres shoqëror me qeverisje të mirë, sundim të ligjit e shtrirje të sovranitetit, lëvizje të lirë e pa viza për shumë vende. Këto janë arsye jo vetëm për të qëndruar në Kosovë, por edhe për t’u kthyer në atdhe”, u shpreh Kurti, ndërsa iu bëri thirrje atyre që të marrin pjesë në regjistrimin e popullsisë.
“Ejani përsëri për pushime verore në Kosovë. Ejani edhe për pushime jashtë stinës së verës. Ejani edhe për punë e kthehuni në vendlindjen tuaj dhe në Kosovën tuaj të dashur”, iu tha Kurti mërgimtarëve.
Madje ndërmarrësit, Kurti i ka ftuar që të investojnë.
“Juve që jeni ndërmarrës, ju themi investoni që të fitoni, jo sikur dikur, kontribuoni duke sakrifikuar, sepse Kosova po zhvillohet e po përparon. Bashkëatdhetarët janë pjesë e këtij suksesi e bashkë këtë edhe mund ta rrisim më tej, edhe ta përshpejtojmë gjithsesi”, tha Kurti.
ZBRAZJA E KOSOVËS NËN QEVERISJEN KURTI
Mediumi Demokracia.com dje publikoi një artikull ku tregoi se si Kosova zbrazet nën Qeverisjen e Kurtit.
Sipas shifrave, mbi 513 mijë votues jetojnë jashtë shtetit nga 77 mijë sa ishin para vitit 2021.
Të dhënat të cilat i ka siguruar Demokracia.com tregojnë se numri i qytetarëve apo shtetasve votues që jetojnë jashtë vendit, por që janë pjesë e listës votuese është më i madhi në historinë e Republikës së Kosovës.
Asnjëherë nuk ka pasur numër kaq të madh të shtetasve/votuesve që jetojnë jashtë Kosovës. Ky numër i madh është shtuar pas ardhjes në pushtet të Albin Kurtit dhe Lëvizjes Vetëvendosje./Demokracia