Në raportimet e fundit, bakteri salmonella mori vëmendjen qendrore. Pas konsumimit të vezës së çokollatës Kinder, shumë fëmijë janë infektuar duke shfaqur simptoma shqetësuese.
Një nënë britanike ka zbuluar simptomat e vajzës së saj tre-vjeçare, pasi kishte konsumuar më parë një nga produktet e çokollatës Kinder, shkruan burimi My London News përcjell Gazeta Shneta.
Nëna Charlotte Wingfield, postoi një paralajmërim për prindërit e tjerë pasi vajza e saj u bë ‘shumë e keqe’ pas incidentit.
Mes tjerash, Charlotte tregon se vajza Brooklyn May, kishte pasur temperaturë të lartë dhe se kishte kaluar pjesën më të madhe të kohës në gjumë.
Ajo thotë se “kishte temperaturë që i kalonte 39°C. Unë fola me pediatrin, besuam se ishte virus, por tre ditë më vonë u konfirmua se ajo kishte salmonellë nga çokollata Kinder, produkte që ajo kishte ngrënë të dielën. Në gjithsej 96 orë, ajo ishte zgjuar gjithsej 12-14 orë, por edhe atëherë, ajo ishte … diku tjetër. Nuk kishte energji, megjithëse është një fëmijë shumë i gjallë”.
Charlotte, inkurajoi të tjerët të shpërndajnë postimin sa më shumë që të jetë e mundur për të ndërgjegjësuar prindërit e tjerë për rrezikun e mundshëm.
Deri më 5 prill ishin raportuar 134 raste, kryesisht fëmijë nën moshën 10 vjeç. Rasti i parë u regjistrua në 7 janar 2022 në Britani dhe nga 17 shkurti e në vazhdim, rastet u vërejtën në pjesë të tjera të Evropës, si Gjermani, Francë dhe Belgjikë.
Problemi i salmonelës gjendet në fabrikën e çokollatës Ferrero Ardennes në Arlon, Belgjikë.
Autoriteti lokal i Sigurisë Ushqimore (AFSCA), njoftoi se kishte urdhëruar ndalimin e prodhimit në fabrikë dhe në të njëjtën kohë kritikoi kompaninë mëmë të Kinder, gjigantin italian të ëmbëlsirave Ferrero, për mosdhënien e informacionit.
Agjencia e Sigurisë Shëndetësore në Mbretërinë e Bashkuar, njoftoi se 63 persona dihet se janë prekur nga salmonella në shpërthimin e lidhur me produktet, vetëm në Mbretërinë e Bashkuar. /Gazeta Shneta/