Konsulenti i dyshuar për konflikt interesi, aksionar edhe në kompaninë që përfitoi rreth 300 mijë euro nga MSH-ja

- in Lajme, Shëndetësi

Pjesa e dytë e hulumtimit për Thomas Weismann – që dyshohet për konflikt interesi me zyrtarë të lartë të Ministrisë së Shëndetësisë, sjellë në pah përfshirjen e tij edhe në një tender tjetër në vlerë të qindra mijëra eurove, ku përfitues është kompania në të cilën Weismann figuron të jetë aksionar.

Ndryshe nga versioni zyrtar i Ministrisë së Shëndetësisë, eksperti gjerman, Thomas Weismann, del se ka një përfshirje më të madhe në tenderët e kësaj ministrie dhe atë me kompani të ndryshme.

Weismann, i dyshuar për përfshirje në konflikt interesi me zyrtarë të lartë të Ministrisë së Shëndetësisë, zyrtarisht ka kryer punë në dy projekte.

LAJME
Konsulenti i dyshuar për konflikt interesi, aksionar edhe në kompaninë që përfitoi rreth 300 mijë euro nga MSH-ja
Demokracia
11:25 | 17 Korrik 2024

SHARE:

 

 

Pjesa e dytë e hulumtimit për Thomas Weismann – që dyshohet për konflikt interesi me zyrtarë të lartë të Ministrisë së Shëndetësisë, sjellë në pah përfshirjen e tij edhe në një tender tjetër në vlerë të qindra mijëra eurove, ku përfitues është kompania në të cilën Weismann figuron të jetë aksionar.

Ndryshe nga versioni zyrtar i Ministrisë së Shëndetësisë, eksperti gjerman, Thomas Weismann, del se ka një përfshirje më të madhe në tenderët e kësaj ministrie dhe atë me kompani të ndryshme.

Weismann, i dyshuar për përfshirje në konflikt interesi me zyrtarë të lartë të Ministrisë së Shëndetësisë, zyrtarisht ka kryer punë në dy projekte.

rastin e parë ai ishte angazhuar si ekspert për hartimin e Strategjisë së Sektorit të Shëndetësisë së Kosovës për vitet 2017 – 2021, si dhe në projektin për Zhvillimin e një Vlerësimi Kombëtar të Shëndetit Mendor.

Për shërbimet e kryera në këto dy projekte, Weismann u pagua 70 mijë e 466 euro, përcjell Buletini Ekonomik.

Por, në mënyrë që pagesat të kryheshin sipas ligjeve të Kosovës, ai, në mars të vitit 2023, e hapi në Kosovë kompaninë KImego Consulting. Kompania u regjistrua në emër të vajzës së tij, Alina Weismann.

Thomas Weismann

Buletini Ekonomik, në pjesën e parë të hulumtimit, ka zbuluar se kompania KImego Consulting, ku Weismann është drejtues, ka lidhje me dy zyrtarë të lartë në Ministrinë e Shëndetësisë. Fjala është për sekretarin Naim Bardiqi, i cili figuron si “person kontaktues” për biznesin Kimego Cunsulting, dega në Kosovë, ndërsa zyrtari tjetër i kësaj ministrie, Nexhip Sheholli, sipas hulumtimit, kreu “shërbime të kontabilitetit” për këtë kompani.

Ministria e Shëndetësisë, në një përgjigje për Buletinin Ekonomik, ka konfirmuar se këto dy projekte janë të vetmet ku eksperti gjerman dhe kompania e tij kreu shërbime. Por, të gjeturat nga hulumtimi sjellin fakte të reja të përfshirjes së ekspertit gjerman edhe në tenderë tjerë në Ministrinë e Shëndetësisë.

Weismann si aksionar në kompaninë fituese të tenderit për fizibilitetin e “e-Health”  

Emri i tij lidhet edhe me kompaninë gjermane  “Management4health”, M4h”, e cila bashkë me një kompani tjetër kishte fituar tender në vlerë rreth 300 mijë euro nga Ministria e Shëndetësisë në Kosovë në vitin 2023.

Gjatë këtij viti, M4h, bashkë me kompaninë estoneze Civitta, realizuan një studim të fizibilitetit që ka të bëjë me digjitalizimin e shërbimeve shëndetësore në Kosovë.

Veç kësaj, hulumtimi zbulon se në këtë projekt të fituar për Kosovë, kompania M4h, përfaqësohet nga personi që ka lidhje me kompaninë nga Shqipëria – “Infosoft”, kompani kjo shumë prezente me tendera në Kosovë.

Konkretisht, në janar të vitit 2023, Ministria e Shëndetësisë kishte shpallur tender për realizimin e një studimi të fizibilitetit mbi nevojën për digjitalizimin e shërbimeve shëndetësore në Kosovë. Studimi pritej të paguhej në kuadër të një huamarrjeje prej Bankës Botërore.

Procedurat e tenderit i kishte udhëhequr Njësia Koordinuese e Projektit të Bankës Botërore në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë. Kurse më datë 21 shkurt 2023, prej pesë konzorciumeve në garë, fituese u shpall konzorciumi i kompanive gjermano-estoneze “Management4health GmbH” dhe “Civitta International OU”. Vlera e kontratës është gjithsej 290 mijë e 439 euro.

Sipas përshkrimit në uebfaqe, “Management4health” është kompani gjermane e themeluar në vitin 2012 dhe është e specializuar “në hartimin, zbatimin dhe vlerësimin e projekteve dhe programeve ndërkombëtare shëndetësore”. Aty thuhet se kompania angazhohet me projekte kryesisht në “vendet në zhvillim”.

Buletini Ekonomik ka zbuluar se eksperti gjerman Thomas Weismann është hiq më pak se njëri nga aksionarëtM4h.

Në uebfaqe të kompanisë, për të thuhet se është kontabilist i certifikuar me përvojë në sektorin e shëndetësisë dhe se puna e tij kryesisht është e përqendruar në projekte në Emiratet e Bashkuara Arabe, Evropën Lindore dhe Azinë Qendrore.

Weismann, në një përgjigje të mëhershme për Buletinin Ekonomik, kishte pranuar se ka kërkuar ndihmën e dy zyrtarëve të lartë në Ministrinë e Shëndetësisë për hapjen e biznesit në Kosovë, si dhe për ta ndihmuar në “shërbime të kontabilitetit”.

“Personi përgjegjës” i ‘m4h’ për Kosovë, bashkë-aksionar me kompaninë nga Shqipëria “Infosoft”

Thomas Weismann nuk është lidhja e vetme mes kompanisë gjermane M4h dhe zyrtarëve të lartë të Ministrisë së Shëndetësisë.

Hulumtimi zbulon edhe një person tjetër me emrin Albano Qojle nga Shqipëria, ish-aksionar në një kompani nga Shqipëria bashkë me kompaninë “Infosoft”, e njohur për përfshirjen në shumë tenderë në Kosovë në fushën e IT-së dhe softuerëve.

Nga një letërkëmbim i brendshëm i MSH-së, të cilin e ka siguruar Buletini Ekonomik, Qojle prezantohet si “personi përgjegjës” për projektin në Kosovë të kompanisë gjermane M4h. Ndërsa, në uebfaqen e kompanisë ai prezantohet si menaxher i lartë i IT-së.

Qojle ka qenë njëri nga nga aksionarët në kompaninë shqiptare të softuereve “Ikubinfo”, bashkë me kompaninë “Infosoft”. Kjo e fundit është e njohur për prezencë të madhe me tenderë në Kosovë. I fundit është tenderi rreth 15 milionësh i Ministrisë së Punëve të Brendshme për licencat e Microsoft-it për institucione.

Përkundër insistimit, Qojle nuk është përgjigjur në pyetjet e mediumit rreth angazhimit të tij në këtë projekt.

Sidoqoftë, dyshimet për konflikt interesi mes Ministrisë së Shëndetësisë dhe Weismann-it siç u faktuan në pjesën e parë të hulumtimit, shkojnë përtej me ekspertin gjerman që përfiton nga të tjera projekte të Ministrisë së Shëndetësisë, me tjera kompani ku është bashkë-aksionar siç edhe e vërtetojnë të gjeturat e hulumtimit./Demokracia