“Sa më i madh rreziku që masa të kuptojë diçka, aq më shumë e shton intensitetin e paqartësive”.
Është ky lexim që gazetari Lirim Mehmetaj ka për pashpjegueshmërinë e qëndrimeve “edhe-edhe” e “as-kësi-as-asi” që Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, i ka çuar në nivel që tejkalon edhe paradokset më të mëdha; e që për një vëzhgues të rëndomtë është mendërisht trullosëse.
Për se është fjala?
Gjatë sidomos vitit të kaluar, për të vazhduar edhe me sivjet, Glauk Konjufca, bën kapërcime të mëdha nga vetë-qëndrimet-e-veta. Është bërë thuajse e vërtetë empirike që te Konjufca nuk funksionon më empirika, i.e, përvoja; e përvoja, edhe shkencërisht, ndërtohet mbi uniformitetin dhe konstancën e ndodhive në natyrë.
Por, uniformitet dhe konstancë te Konjufca del të mos ketë; uniforme dhe konstante te ai janë mungesë e këtyre dyjave.
Konkretisht…
Ishte i pari që draft-Statutin e Asociacionit të ofruar nga pesëshja euro-amerikane doli ‘e bekoi’ si “plotësisht në përputhje me Kushtetutën e Kosovës” duke e dhënë për fakt të ktyer me “thjesht një shikim sipërfaqësor” se s’përbën kurrëfarë niveli të ri të pushtetit.
Brohorimat ndaj kësaj sigurie epistemiko-juridike të artikuluar nga Konjufca s’kishin të ndalur anëgjerë mbështetësve të Vetëvendosjes.
Por, s’do ta nzinte muaji kur Konjufca do t’ia hiqte kuptimin si me dorë vetë-vetes. “Çka je tu fol bre, po ku implementohet ai draft?”, do t’i kthehej intervistuesit të tij, Adriatik Kelmendit, i cili pandehte se po fliste me Konjufcën e para 2-3 jave që e kishte pagëzuar si draft të mirë e “krejtësisht kushtetues”.
“Skandaloz është ai draft”, thoshte Konjufca referuar Arbitrazhiz dhe Rezolutës 12/44. “Absolutisht i dëmshëm…nuk e zbatojmë”.
Konsistenca, virtyt jokonjufcian…
“Për ta shpjeguar tipin e Glauk Konjufcës më duhet të kthehem në fillim të viteve 80-ta në Kosovë. Atëherë komiteti krahinor kishte krijuar një komision ku i ftonte intelektualët e kohës (intelektualë thënë kushtimisht) që t’i binden partisë dhe të shkruajnë artikuj për ta diktuar opinionin. Këta ‘intelektualë’ shkruanin atë që paraprakisht ua caktonte partia. Ata kishin detyra shtëpie të lojalitetit, ku ju caktohej tema dhe emri i tyre karshi temës dhe më pas duhet të prodhonin një shkrim sipas konveninecave të partisë”.
Kështu e nis analizimin e tipit “edhe/edhe – as/as” të Glauk Konjufcës, gazetari Lirim Mehmetaj në një bisedë me Nacionalen. E këtë dualitet të shoqëruar me asnjëshmëri, sipas Mehmetaj, Konjufca e ka “sepse nuk ka qëndrim të tij”.
“Glauk Konjufca është i tillë. Ai nuk ka një opinion të vetin e aq më tepër një qëndrim. Ai është një makinë që artikulon në publik çfarë ia parapërcakton partia duke dëshmuar kështu lojalitetin dhe në këmbim mban pozitën brenda partisë”.
Mehmetaj, rikthehet në retrospektivë për të dhënë një interpretim retroaktiv të sojit politik, çfarë, sipas tij, e përbën Konjufcën.
“Konjufca përfundimisht kishte shitur shpirtin dhe dërrmuar kurrizin, në kohën kur ndodhi ndarja në Lëvizjen Vetëvendosje. Derisa fillimisht ishte ndër të parët që kishte shprehur shqetësimet për simptomat autoritare të Kurtit brenda partisë, ai kur kishte parë disponimin e përgjithshëm dhe nuhatur se Kurti po fitonte terren në raport me të pakënaqurit që prezantoheshin kryesisht nga Dardan Molliqaj, në momentin e fundit ndërroi anë dhe mbeti me Kurtin, madje duke sulmuar të pakënaqurit të cilët fillimisht vetë i kishte bindur që të shpalosnin pakënaqësitë”.
E “krijimin e paqartësive”, sipas Mehmetajt, Glauku e ka edhe “përshkrim pune”.
“Glauk Konjufca tashmë përbën një figurë që për përshkrim të punës e ka trullosjen e masës për hesape të Kurtit. Sa më i madh rreziku që masa të kuptojë diçka, aq më shumë e shton intensitetin e paqartësive Konjufca. Sikur të mos mbante pozitën serioze që ka, ai do të ishte qesharak, meqë e ka atë pozitë, atëherë është i rrezikshëm”, shton ai.
Megjithatë për këtë paqartësi-si-qëllim-në-vetvete të Konjufcës, Mehmetaj ngre vëmendjen në atë se s’duhet marrë si befasi.
“Nga Konjufca mos u befasoni asnjëherë, atë do ta gjeni duke kundërshtuar Asociacionin dhe mbrojtur atë në të njëjtën kohë, duke folur për miqtë e Bashkimit Evropian dhe duke sharë armiqtë e po të njëjtit organizëm. Duke qenë pro perëndimor e liberalë, por gjithashtu edhe duke prodhuar fraza që arsyetojnë autokracinë elektorale që e ushtron Kurti në Kosovë. Duke cituar filozofë e më pas përmes atyre citimeve duke argumentuar në kundërshtim të plotë me krejt çfarë qëndrojnë filozofët të cilët i citon. Pra, befasia nuk është ai. Befasia është populli i Kosovës që riprodhon dhe mirëmban vazhdimisht të tillët si ai. Ky po që është mister”, përfundon Lirim Mehmetaj./Demokracia