Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca ka thënë se Kosova kurrë nuk duhet të përjashtojë mundësinë e një agresioni serb mbi territorin e Kosovës. Në raport me Serbinë, kryeparlamentari tha se duhet shikohet gjithmonë skenari më i keq, prandaj duhet kujdes dhe ngritje e nivelit të artilerisë së FSK-së.
Pas takimit me homologun e tij nga Maqedonia e Veriut, Talat Xhaferi, Konjufca tha se faza 10 vjeçare e FSK-së duhet të reduktohet në mënyrë që ecja drejtë NATO-s të jetë më e shpejtë.
“Relacioni në kuptimin shtetëror dhe institucional të fjalës i Serbisë ndaj Republikës së Kosovës është relacion më i keq se i Federatës Ruse e ka pasur me Ukrainën. Pra, Fedrata Rusia e ka njohur Ukrainën është pajtuar me shtetësinë e Ukrainës dhe megjithatë edhe pas kësaj e ka sulmuar. Kurse, Serbia neve as që na njeh, pra kuptimin e relacionit shtetëror dhe institucional marrëdhëniet me Serbinë ne i kemi shumë më të këqija se sa i ka pasur Rusia me Ukrainën. Nga ky kuptim, unë mendoj se duhet të kemi kujdes të shtuar në relacion me Serbinë. Kurrë nuk duhet të përjashtojmë mundësinë dhe potencialitetin e një agresioni serb mbi Republikën e Kosovës. Duke u nisur nga ky pretendim, ne mendojmë se Forcat e Sigurisë së Kosovës duhet ta rrisin nivelin e të drejtës së tyre për llojin e armatimit. Republika e Kosovës pa dyshim se duhet të ketë nivelin e artilerisë të ushtrisë së vet. Natyrisht se gjitha këto ne do t’i bëjmë me partneritet dhe bashkëpunim të ngushtë me NATO-në. Ata si partner ne duhet t’i bindim se Kosova ka nevojë për këtë gjë sepse askush deri para dy muajsh nuk ka menduar se Rusia do të bëjë një agresion të përmasave të tilla”, tha ai.
Në konferencën e përbashkët për medie, Konjufca kërkoi ndryshim të strategjisë dhe politikave të zgjerimit nga BE-ja.
Ai tha se pas agresionit rus në Ukrainë është krijuar momentumi për anëtarësim të përbashkët të rajonit në BE.
“Sa i përket NATO-s ne jemi në një program për të cilin e di gjithkush se i ka fazat e veta. Ka qenë i strukturuar përmes fazave të ndryshme, ka qenë një plan dhjetë vjeçare që kemi hy në vitin 2018 dhe i cili pritet të kurorëzohet në vitin 2028. Sa i përket Bashkimit Evropian, çështja e aplikimit mund të ndodh, por ajo në të cilën ne po bëjmë thirrje është që të na ndihmojnë gjitha shtete e BE-së që pas situatës së krijuar, Ballkani Perëndimor të konceptohet edhe si çështje e sigurisë tashmë. Jo vetëm si çështje e disa kritereve të ndërlikuara dhe kurrë nuk po ju vjen fundi në kuptimin shtëpiak të fjalës, reformat dhe kriteret e ndryshme[…]Fazat në shtrirjen 10 vjeçare që janë menduar të reduktohen dhe Kosova të ketë ecje më të shpejt drejtë NATO-s[…]Procedurat janë të qarta dhe ato nuk ndryshojnë për asnjë shtet. Ajo çka mund të ndryshojë është përshpejtimi i procedurave, sa shpejt mund të kalosh këtë rrugë dhe shpejtësia përmbushet prej reformave dhe kritereve që përcaktohen paraprakisht”, shtoi Konjufca.
Ai theksoi se Kosova e ka vendin nën ombrellën e NATO-s dhe veçmas tani po shihet rëndësia e anëtarësimit në këtë institucion të Maqedonisë së Veriut, Malit të ZI dhe Shqipërisë.
“Vetëm duke qenë më të bashkuar dhe më afër njëri-tjetrit, rajoni është më sigurt. Anëtarësimi i Republikës së Maqedonisë së Veriut në NATO edhe njëherë po e sjell rëndësinë e vet, sidomos pas kësaj situate të krijuar prej luftës në Ukrainë. Të gjithë skeptikët që edhe kishin dilema për këtë anëtarësim në NATO edhe të Malit të Zi dhe të Shqipërisë më herët, sot po e kuptojnë sa e rëndësishme ka qenë anëtarësimi në NATO dhe tash sa e rëndësishme që edhe Kosova sa më shpejtë të bashkohet në këtë familje të ombrellës trans-atlantike të sigurisë, aty ku përfundimisht e kemi vendin”, deklaroi ai.
Kryeparlamentari foli edhe për mundësitë e mbajtjes së zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë, ku tha se të njëjtat nuk i kontribuojnë stabilitetit të vendit.
“Sa i përket mundësisë së mbajtjes së zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë nuk i kontribuojnë stabilitetit të Kosovës në mënyrën si janë mbajt deri tash. Deri tash zgjedhjet e Serbisë në Kosovë janë mbajtur në mënyrë ilegale, ani pse ka qenë e përfshirë OSBE, pasi kanë qenë në shpërputhje me praktikat ndërkombëtare. Asnjë shtet të botës nuk e gjeni se shteti tjetër i organizon zgjedhjet dhe një institucion i mbledh votat. S’ka kështu askund”, tha ai.
Krahas këtyre, Konjfuca vlerësoi raportet e mira të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut dhe tha se të njëjtat duhet të thellohen edhe më shumë.V