Konjufca: Abdixhiku ia ka huqur me deklaratën se Kurti ka ide të zhbërjes së shtetit

- in Lajme

Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Glauk Konjufca u është kundërpërgjigjur akuzave të kreut të ri të LDK-së Lumir Abdixhiku se Albin Kurti ka ide të gabuara.

“Besoj që idetë i ka të gabuara Kurti. Ka një frymë që i është dhënë një mundësi dhe kjo mundësi s’duhet ndalur. Për bindjet e mia idetë e majta janë thelbësisht të gabuara për Kosovën, në pjesën më të madhe të tyre. Idetë e zhbërjes së shtetit të Kosovës janë thelbësisht të gabuara. Është platformë e tij politike dhe këtë e kemi të qartë po besoj”, ka thënë Abdixiku në Klan Kosova para disa ditësh.

Konjufca ndërkaq ka reaguar duke thënë se Abdixhiku nuk ia ka qëlluar.

“Rritja e bashkëpunimit me Shqipërinë absolutisht nuk është zhbërje e shtetit të Kosovës. Është krejtësisht e huqur nga ana e Abdixhikut. Nuk e di se përmes kësaj gjuhe cilëve qytetarë të Kosovës ai po i flet? Kënd po e targeton përmes kësaj? Gjuhën e tij askush në Kosovë nuk e kupton. Pse? Sepse bashkim kombëtar s’ka meqë është e pamundshme në këto rrethana dhe jo pse s’do kombi shqiptar. Abdixhiku po thotë s’duhet, këtë s’e merr vesh askush”, ka thënë Konjufca sonte në Rubikon të Klan Kosovës./KP