Konflikt mes çiftit në Malishevë: Burri e bën për spital bashkëshorten, përfundon në ndalim policor

- in Lajme

Dhuna në familje vazhdon të mbetet një nga damkat më të mëdha të shoqërisë kosovare. Çdo ditë në Polici raportohen raste të grave që përjetojnë dhunë  në forma të ndryshme nga personat të cilët i kanë zgjedhur të ndajnë jetën me ta, por edhe nga anëtarët tjerë të familjes, raporton Gazeta Sinjali.

Në Polici kanë përfunduar dje pasdite edhe një çift nga Malisheva, pasi burri dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se njësitë policore kanë intervenuar në rast dhe gruaja është dërguar për tretman mjekësor në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Malishevë.

Pas marrjes së ndihmës mjekësore, viktima ka dhënë dëshminë e saj para hetuesve policore, ku ka deklaruar se pas një konflikti verbal, i shoqi e ka sulmuar fizikisht duke e goditur. Për shkak se ajo është shprehur se ndihet e pasigurt të vazhdojë bashkëjetesën me të dyshuarin, është dërguar te familja e saj.

Ndërkohë i dyshuari është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor, ku është intervistuar lidhur me rastin.

Pas përfundimit të procedurave policore, me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje dhe ndaj tij është iniciuar rasti ‘Dhunë në familje’.

/GazetaSinjali/