Një rast i dhunës në familje është raportuar mbrëmë në rrugën “Bajram Bahtiri” në Prishtinë, ku është i përfshirë një burrë me motrën dhe nënën e tij. Rasti është raportuar nga I.M., e cila e ka njoftuar Policinë se vëllai i saj e ka rrahur, pasi ajo kishte ndërhyrë për ta ndarë nënën dhe nusen ë tij të cilat ishin duke u fjalosur.
Burimet e Gazetës Sinjali kanë dhënë detaje se çka ka deklaruar para hetuesve policorë 45-vjeçarja, e cila e denoncoi vëllain në Polici.
Rasti ka ndodhur gjatë ditës së djeshme në shtëpinë e viktimës dhe të dyshuarit, ku ata jetojnë së bashku. Ankuesja ka deklaruar se derisa ishin gjithë familja në shtëpi, nëna e saj me nusen (gruan e vëllait) kishin filluar një fjalosje mes tyre. Për ta qetësuar situatën, ajo ka thënë se ka ndërhyrë por që e ka pësuar vetë. Në dëshminë dhënë para zyrtarëve policorë thuhet se vëllai i saj e ka sulmuar me grushte dhe shuplaka në fytyrë, e me shqelma nëpër trup.
Për shkak të goditjeve e njëjta ka pësuar lëndime, për çka është dërguar në Qendrën e Mjekësisë Familjare për të marrë trajtim mjekësor.
Pas denoncimit të rastit, Policia ka intervistuar palët e përfshira. I dyshuari M.M., 43-vjeçar e ka mohuar se ka ushtruar dhunë fizike ndaj motrës dhe se sipas tij ndodhë e kundërta. Ai ka deklaruar se motra e tij ka probleme mendore dhe e sulmon nënën e tyre vazhdimisht.
Sipas burimeve të Sinjalit, edhe nëna e viktimës dhe të dyshuarit ka deklaruar njëjtë. Ajo ka thënë se vajza e saj ushtron dhunë psikike ndaj saj.
Lidhur me rastin është njoftuar prokurorja kujdestare, e cila ka lëshuar urdhër që i dyshuari të dërgohet në mbajtje dhe ndaj tij të iniciohet rasti si “dhunë në familje”.
/GazetaSinjali/