Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, që drejtohet nga Donika Gërvalla, tashmë e ka bërë ndryshimin që Demokracia.com ka raportuar ditë më parë. Përmes një e-maili që ka siguruar redaksia, konfirmohet ndryshimi i zëvendësuesit të Sekretarit të Përgjithshëm. Në pozitën e zëvendësuesit të Sekretarit të Përgjithshëm, deri më tani ka qëndruar Behar Isma, i cili ishte vendosur aty kundërligjshëm para tri vitesh.
Siç ka raportuar Demokracia.com, sot MPJD e ka qarkulluar njoftimin se Ilir Muçaj nga sot është zëvendësues i Sekretarit të Përgjithshëm në këtë ministri.
Demokracia.com ka mësuar se Behar Isma, njeriu që ia shtyu agjenden partiake Donika Gërvallës, pritet të rehatohet në një mision diplomatik.
Burime të mirëinformuara të Demokracia.com bëjnë të ditur se Isma po bëhet gati për të shkuar në mision në Gjermani, afër Hamdi Bërbatovcit që i kaloi jashtëligjshëm disa grada për t’u dërguar atje.
“Tash po tërhiqet në pozicionin e tij të origjinës të shefit të departamentit ligjor, ku pret të marrë gradën nga Komisioni për Grada dhe Disiplinë dhe të rehatohet në ndonjë mision diplomatik, ashtu siç u rehatuan pas shërbimeve të paligjshme politike, pjesëtarët e grupit të Liza Gashit: Behar Isma, Besim Berisha, Mizbah Mustafa, Vigan Berisha, Afrim Deliu e Hamdi Berbatovci, që njihen si “operativët” e ministres Donika Gërvalla dhe zëvendësministres Liza Gashi”, ka thënë ky burim për Demokracia.com.
Në pritje të detyrës së Sekretarit të Përgjithshëm të MPJD-së është Ilir Muqaj, i cili u transferua nga ish Ministria e Integrimeve në pozitë të shefit të divizionit.
“Kalimi i zyrtarëve nga ministritë e tjera në pozitë të sekretarit të përgjithshëm e posaçërisht nga pozitat minore është e jashtligjshme. Për më tepër ka dëmtuar seriozisht shërbimin e jashtëm, duke qenë se personat e tipit si Behar Isma, si zbatues i politikave ditore të zëvendësministres Liza Gashi dhe ministres Donika Gërvalla Schëarz, i ka shkaktuar dëme enorme ministrisë në organizim administrativ dhe diplomacisë së Kosovës”, ka thënë ky burim për Demokracia.com.
Demokracia.com në vazhdimësi ka raportuar për shkeljet në MPJD./Demokracia