Në kuadër të realizimit të planit të punës dhe të shënimit të 40-vjetorit të Pranverës shqiptare të vitit 1981, Instituti Albanologjik ka organizuar Konferencën shkencore “Pranvera shqiptare 1981 – kthesë në historinë kombëtare”.
Dyzetvjetori ka qenë momenti i vlerësimit të zhvillimeve historike që u treguan me peshë të madhe në historinë e re të Kosovës e përgjithësisht të shqiptarëve të mbetur nën ish-Jugosllavi. Zhvillimet dramatike që nisën si demonstratë studentësh më 11 mars dhe që më tej u zhvilluan në protesta dhe manifestime masive, deri edhe me elemente kryengritëse në përballje me forcat ushtarako-policore serbe përbëjnë njërën ndër kthesat më të rëndësishme të historisë sonë. Ndonëse në rrethana të pandemisë, në konferencë morën pjesë numri më i madh i referuesve, ndërsa disa prej tyre në pamundësi të udhëtimit për shkak të rrethanave të njohura i dërguan kumtimet e tyre.
Përgjithësisht në kumtesa u trajtuan aspekte të përkufizimit tipologjik të këtyre ngjarjeve historike, të kontekstit të shpërthimit të revoltës studentore e mbarëpopullore, të identifikimit të faktorëve dhe të bartësve të proceseve në to, të reflektimit në arenën rajonale me theks të veçantë në RSP të Shqipërisë, të pasqyrimit të tyre në letërsinë popullore dhe atë të shkruar etj.
Përgjithësisht në këtë përvjetor, për dallim nga herët e kaluara, pati më tepër qasje analitike kundruall dimensionit evokues të subjektit pjesëmarrës. Kumtesat e lexuara dhe të dorëzuara për botim do të publikohen në një vëllim të veçantë.
Kumtesat i lexuan 13 kumtues, ndërsa për botim në pamundësi të pranisë në konferencë dorëzuan edhe katër sish. Në vijim po japim referuesit sipas rendit të kumtuesve: fjalën e hapjes e mbajti Prof. asoc. dr. Memli Krasniqi, pasuar nga Akademik Pëllumb Xhufi (Akademia e Shkencave e Shqipërisë), me kumtesën “Qëndrimi i shtetit shqiptar ndaj zhvillimeve të mars-prillit 1981 në Kosovë”; Prof. dr. Lulëzim Lajçi (Instituti Albanologjik) ka referuar kumtesën “Libri i kaltër”, vazhdimësi e “Naçertanisë” dhe paraprijëse e fushatave antishqiptare komplotiste serbe më 1981”; Dr. Anton Pançev (Universiteti i Sofjes “Shën Kliment Ohridski”) me kumtesën “Reflektimi i demonstratave në Bullgari dhe qasja bullgare ndaj Jugosllavisë”.
Prof. dr. Nebi Dervishi (Universiteti Shtetëror i Tetovës) ka lexuar kumtesën “Reflektimi i demonstratave të vitit 1981 në Strugë dhe rrethinë”; Prof. asoc. dr. Bujar Dugolli (Universiteti “Hasan Prishtina”, Prishtinë) është paraqitur me kumtesën “Roli i Universitetit të Prishtinës në lëvizjen studentore të vitit 1981”; Prof. asoc. dr. Sonila Boçi (Akademia e Studimeve Albanologjike – Instituti i Historisë – Tiranë) ka referuar kumtesën “Demonstratat e vitit 1981 në Kosovë dhe pasqyrimi i tyre në shtypin zyrtar të PPSH-së”; Prof. dr. Qerim Lita (studiues nga Shkupi) është paraqitur me kumtesën “Reagimet e organizatave politike, të intelektualëve e të shoqërisë civile shqiptare ndaj masave të dhunshme në Kosovë mars-prill 1981”. Prof. dr. Hysen Matoshi (Instituti Albanologjik), ka referuar kumtesën “Pranvera shqiptare 1981 ndërmjet demonstratës dhe kryengritjes”; Dr. Hasan Bello (Akademia e Studimeve Albanologjike – Instituti i Historisë-Tiranë) “Qëndrimi i shtetit shqiptar ndaj demonstratave në Kosovë në vitin 1981”; Dr. Artan Hoxha (Akademia e Studimeve Albanologjike, Instituti i Historisë-Tiranë) është paraqitur me kumtesën “Retorika nacionaliste dhe realpolitika internacionaliste: demonstratat studentore në Kosovë në vitin 1981 dhe kontradiktat e brendshme në ligjërimin e regjimit komunist të Tiranës”; Prof. asoc. dr. Memli Krasniqi (Instituti Albanologjik) është prezantuar kumtesën “Ngjarjet e vitit 1981 shikuar nga perspektiva historike”; Prof. dr. Adem Zejnullahu (Instituti Albanologjik) ka paraqitur kumtesën “Pranvera shqiptare e vitit ‘81 në këngët popullore”; Dr. Gëzim Aliu (Instituti Albanologjik) ka referuar kumtesën “Viti 1981 në novelën “Krushqit janë të ngrirë” e Ismail Kadaresë”; Prof. asoc. dr. Nuridin Ahmeti, (Instituti Albanologjik) ka paraqitur kumtesën “Organizatat atdhetare në raportin e Sekretarit Krahinor të Punëve të Brendshme të Kosovës”; Dr. Afërdita Dervishi (Kolegji Biznesi) ka lexuar kumtesën “Procesi historik i vitit 1981” dhe MA. Nutrika Lajçi (studiuese nga Prishtina), ka lexuar kumtesën “Rrethanat paraprijëse shoqërore-historike të demonstratave të vitit 1981”.
Në përmbyllje të konferencës u zhvilluan diskutime interesante lidhur me çështjet e trajtuara. Fjalën e mbylljes e ka paraqitur Prof. asoc. dr. Nuridin Ahmeti, anëtar i Këshillit Organizues./KP