Festivali Olimpik që po mbahet në sheshin “Skënderbeu” të Prishtinës, vazhdoi sot me ditën e shtatë të aktiviteteve për nder të Lojërave Olimpike “Tokio 2020”.
Shumë fëmijë ishin të pranishëm edhe sot në këtë Festival duke performuar disa nga sportet dhe aktivitetet e ndryshme që janë pjesë e këtyre Lojërave Olimpike, përcjell KosovaPress.
E përveç aktiviteteve sportive, temë diskutimi ishin edhe medaljet e arta olimpike të siguruara nga Distria Krasniqi e Nora Gjakova, ku disa nga fëmijët u shprehën të gëzuar me arritjet e xhudisteve kosovare.
E njëri nga ta ishte edhe 7 vjeçari Lekë Hysaj, i cili tregoi arsyen se pse është prezent në këtë Festival, dhe tregoi që ishte tejet i kënaqur me performancat e xhudisteve kosovare në “Tokio 2020”.
Hysaj: Nora dhe Distria na kanë përfaqësuar si kampioni i shtatë në krejt botën
“Unë jam Lekë Hysaj, i kam shtatë vite e gjysmë. Kemi ardhur këtu me hy në shumë sporte, jam i kënaqur tash, kam ardhur këtu me shokët e mi. Edhe shumë jam gëzuar që Nora dhe Distria na kanë përfaqësuar si kampioni i shtatë në krejt botën, na i kanë dhënë dy medalje të arta”, tha Hysaj.
Pas Lekës, fjalën e mori edhe një bashkëmoshatar i tij, Patrik Qosja i cili fillimisht tregoi që është i gëzuar që është pjesë e Festivalit Olimpik.
Po ashtu vogëlushi u shpreh i lumtur me sukseset e dy xhudistëve kosovare.
Qosja: Jam i lumtur që kanë sjellë medalje
“Shumë jam i gëzuar që kam ardhur këtu, sepse shumë vend i mirë është”. 01:58. Jam shumë i lumtur që jam fëmijë, që i kanë sjellë medaljet”, tha Qosja.
Disa fjalë tha edhe Lea Llapashtica, ku tregoi se pse është pjesëmarrëse në këtë Festival Olimpik që po mbahet në Prishtinë.
Po ashtu, vogëlushja tregoi edhe aspiratat e saj që ka si fëmijë.
Llapashtica: Dua të jem kampione
“Kemi ardhur këtu për me bo një sport pak më ndryshe. 02:30. Unë dua të jem e lumtur, dhe dua të jem kampione”, tha vogëlushja Llapashtica.
Ndërkohë, të gjithë fëmijët që ishin të pranishëm sot në këtë Festival Olimpik, vazhduan aktivitetet e ndryshme në sportet përkatëse të tyre, për nder të Lojërave Olimpike “Tokio 2020”./KP