Fadil Kodra, i cili u shkarkua nga pozita e drejtorit të Agjencisë për Menaxhimin e Emergjencave nga ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, po e sfidon këtë të fundit, duke ia mësyrë sërish zyrës që kishte në këtë institucion, pavarësisht vendimit për lirim nga detyra, mëson ekskluzivisht Gazeta Sinjali.
Kështu kanë bërë të ditur burimet e Sinjalit brenda MPB-së, të cilat kanë njoftuar se Kodra është paraqitur sot te objekti i AME-së, duke tentuar që të futet në zyrën e tij, të cilës paraprakisht nga institucioni i ishte ndërruar cilindri i derës.
Në pamundësi për të hyrë brenda zyrës, me pretendimin se dikush kundërligjshëm ka bërë ndërrimin e cilindrit të derës, ai ka njoftuar Policinë e Kosovës.
Burimet nga MPB thonë se tashmë një njësi policore ka dalë në vendin e ngjarjes, te zyrat e AME-së ku ndodhet edhe Kodra dhe ende nuk dihen veprimet që do të merren.
Siç rezulton deri më tani, Kodra nuk po e përfill vendimin e Sveçlës, të cilin po e akuzon për cenim të të drejtave në marrëdhëniet e punës dhe keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, për çka ka dorëzuar kallëzim penal ndaj tij.
Sinjali do të ju mbajë të informuar për detaje e reja.