KMDLNJ: DËNIMI I ZORAN VUKOTIQIT, SHPRESË PËR VIKTIMAT E DHUNËS SEKSUALE

- in Lajme

KMDLNJ në Prishtinë ka përshëndetur dënimin me burg të policit serb Zoran Vukotiq duke e quajtur një hap drejt arritjes së drejtësisë për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, si e drejtë e njeriut dhe shpagim moral për dëmet e pa kompensueshme që u janë bërë këtyre viktimave.

Në një reagim për media, KMDLNJ kujton se dhunimi seksual përveç si krim lufte në Kosovë ka pasur edhe karakter etnik dhe se ky dënim ngjallë shpresat se krimet e tilla nuk do të mbesin të pandëshkuara pavarësisht se deri më tani numri i të dënuarve është simbolik.

KMDLNJ konsideron se me këtë rast është vlerësuar puna e kësaj organizate për të drejtat e njeriut për faktin se ka ndihmuar në zbardhjen e këtij rasti e që ka rezultuar me shqiptimin e dënimit dhe beson se ky dënim nuk do të mbetet rast i izoluar, por se do të dënohen edhe dhunuesit e tjerë gjatë luftës në Kosovë. /KP