KFOR-i zhvilloi stërvitje që përfshinë helikopterë të shumtë

- in Lajme

Misioni i KFOR-it, i udhëhequr nga NATO, zhvilloi sot një trajnim fluturimi me gjashtë helikopterë të kontingjenteve kroate, zvicerane dhe amerikane në Kosovë.

Ushtrimi u përqendrua në standardizimin e procedurave të planifikimit dhe ekzekutimit të misionit, në testimin e fluturimit dhe komunikimet, dhe filloi nga Aeroporti Ushtarak në Sllatinë, duke vazhduar me kampin “Bondsteel”, Prizren, Pejë, Aeroportin e Sllatinës dhe Prishtinë, dhe përfundoi në Shtabin e Përgjithshëm të KFOR-it.

Ushtrimi siguroi që KFOR të mbetet një forcë e fuqishme ushtarake, e gatshme për të vepruar si parandalues i besueshëm ndaj çdo kërcënimi dhe për të ruajtur kapacitetet e tij për të kryer fluturime të evakuimit urgjent mjekësor kurdo që nevojitet.

KFOR-i është kontingjent shumëkombësh me 27 vende anëtare të NATO-s dhe shtetet partnere, i cili ofron kapacitete dhe kompetenca të ngritura. Kërkohet trajnim dhe ushtrim i vazhdueshëm për t’u siguruar se të gjitha kontigjentet veprojnë në mënyrë të standardizuar, duke siguruar aftësinë e KFOR-it të reagojë në përputhje me Rezolutën 1244 të OKB dhe në mënyrë të shpejtë dhe efikase nga ajri dhe nga toka ndaj çdo sfide për mjedisin e qetë dhe të sigurt dhe lirinë e lëvizjes, thuhet në komunikatë./KosovaPress