Në një debat të ashpër mes dy fqinjëve, pata ‘fatin’ të isha prezent dhe të dëgjoja natyrën e një diskutimi fascinues.
Gjatë një mosmarrëveshjeje për mexhë, ku akuzoheshin të dy nga njëri-tjetri për atë që dukej se ishte lehtë e zgjidhshme me një parashtrim të çështjes në zyrën për kadastër dhe gjeodezi, kuptova dhe mësova diçka që ka qëndruar në kokën time si materie e palëvizshme.
Të dy ishin në moshë të shtyrë, rreth mesit të 60-ave ose në fillim të 70-ave, andaj e kisha të qartë se do të mësoja diçka nga krejt ky shkëmbim, në një mënyrë apo tjetrën.
Debati erdhi në një pikë që e detyroi të moshuarin N.P. t’i drejtohej kundërshtarit të debatit A.P. me “kadale bre se na tontë jemi (në kuptimin e ‘jemi si një familje’), s’kena nevojë me bërtitë kështu”, qartazi duke futur në dialog faktin se të dy ishin kushërinj, për ta qetësuar paksa situatën.
Mirëpo, mënyra si A.P. ia ktheu përgjigjen është veçanti dhe kreativitet në vete. “Po, a?” tha fillimisht ai, para se ta vazhdonte me: “Për ashtu, unë edhe nevojën kur po e boj, e jemja po osht, amo menxi po pres me ikë prej saj masi po e boj”.
Ishte përgjigje nonshalante dhe pa kurrfarë përpjekje. Për A.P. dukej se ishte gjëja më e natyrshme në botë të thuhej, për çudinë dhe fascinimin tim që po e dëgjoja.
Të njëjtin pata fatin ta dëgjoj duke pështyrë fakte në kohë korone, edhe në një rast tjetër. Një fëmijë i lagjes duket se e kishte sharë me nënë A.P-në dhe ky po debatonte me nënën e tij në lidhje me rastin.
“O fëmijë osht ky, nuk din, mos ia zi për të madhe“, po i thoshte nëna e sharësit A.P-së, teksa ky me nonshalancë të njejtë si në rastin e parë të “nevojës”, ia ktheu: “Nime?Masi koka fëmijë e s’po dika, pse s’po thotë ma q*fsh nanën, po ta q*fsha nanën”.
Gjërat e tilla nuk mund t’i shohësh e dëgjosh çdo ditë. Përkundër natyrës banale të bisedave dhe konfliktet në të cilat ishte përfshirë A.P në rastet e epërme, të folurit e tij autentik, në miks me intelegjencën kreative të të shprehurit në atë lloj mënyre, ishin udhërrëfyese dhe model për mua kur mora si detyrë të merrem me frazat popullore.
Këto fraza jo gjithmonë përfaqësojnë vlerë edukative në shoqëri. Disa prej tyre madje ngërthejnë në vete elemente absolutisht të tmerrshme seksizmi e denigrimi të figurës së gruas.
“Shpija e fshime edhe gruja e q*me, s’kanë t’pagumë”, është një prej tyre që mund ta keni dëgjuar ndonjëherë. E shprehjet e tilla nuk do mend se vijnë nga një mendësi e derivojnë nga një logjikë e të menduarit si e A.P-së pak më lart.
E panevojshme të mundohemi të elaborojmë me gjërat që nuk janë në rregull me këtë frazën “shpija e fshime e gruja…”, të cilën në shenjë eksperimenti ia thashë të dashurës, vetëm për të parë reagimin e saj.
“Kukuuu, mos e tepro”, ishte reagimi para se të shtonte “mos e përfshij qita se teper e ronë”, kur mu kujtua se e kisha njoftuar një ditë më herët për temën e grumbullimit të frazave popullore.
Me vetëdijësimin dhe emancipimin e vazhdueshëm, për aq sa ka pasur mundësi, e drejtë të themi se pak nga pak përdorimi i kësaj fraze ka pësuar rënie sa i përket peshës në shoqëri, edhe pse ende mund të gjejë përdorim te grupacione të caktuara shoqërore.
Por nëse mendoni se kjo frazë është shumë e rëndë, hidhni një sy kësaj më poshtë, ku inkurajohet përdhunimi seksual në mënyrë kreative.
“Paqeta e cigares n’tavolinë edhe gruja në krevet, nuk veten.”
Kur pyeta Arta Avdiun, gazetare në Nacionale dhe personalitet aktiv në rrjetet sociale, çka mendon për shprehjen në fjalë, përgjigjja e saj ishte shumë-dimensionale:
“Si frazë më së miri e shpërfaq mënyrën se si abuzohen gratë në kulturën tonë shqiptare”, tha fillimisht ajo.
“Nëpërmjet kësaj fraze pasqyrohet kultura e përdhunimit, e cila duke e justifikuar dhunën seksuale me proverba seksiste, e normalizon një raport të tillë dhunues.
“Madje fraza jonë popullore edhe po e nxit atë. Një gjuhë e tillë e folklorit tregon se dhuna seksuale dhe përdhunimi janë pjesë e përditshmërisë sonë. Është tepër e frikshme, si grua, kur e sheh sa e pranuar është dhuna seksuale ndaj grave dhe vajzave. Që ta kuptojmë saktë, kjo frazë flet për dhunën seksuale në çifte, brenda martesës.”
“Te ne raportohet deri diku dhuna seksuale që bëhet nga persona jofamiljarë, por shumë pak ose hiç përdhunimi brenda çifteve dhe martesës. Pra dhunës nga partneri. Ku të raportohet kur është aq normale, organike e madje e nxitur është kjo dhunë? Përveç diskriminimit, gratë çdo ditë janë edhe të rrezikuara fizikisht edhe atë në shtepitë e tyre.”
Do të ishte e padrejtë të themi se gratë janë caku i vetëm shënjestrues i frazave të tilla, që përfaqësojnë një anë dhe mendësi shumë më të errët të popullit se që mund ta mendojmë në dëgjim të parë.
Nga diçka e tillë nuk kursehen as predikuesit fetarë si hoxhallarët dhe priftërinjtë.
“Pa pare, as hoxha s’hyp në minare.” Frazë që përdoret në tentativë për të ekspozuar predikuesit fetarë dhe relacionin e tyre me paranë, me këtë të fundit që shpesh ndërlidhet më shumë me atë çka përfaqëson djallëzorja nëpër narrativat religjioze.
Dhe nëse po kërkoni përgjigje nga një hoxhë se çka mendon në lidhje me këtë, e kemi një… apo, ashtu diçka.
“Mund të vijë (fraza ‘pa pare, as hoxha s’hyp në minare’) nga shënimet e hoxhës për atë se kush ia ka paguar hakun hoxhës që mblidheshin nga çdo familje, për tërë vitin ose për ramazan”, shkruan hoxhë Ramadan Ramadani në një editorial për “Kërçova Sot”.
“Por ka mbetë në mbamendjen e popullit si një regjistër ku s’do doje ta kesh emrin të shënuar, gati rëndë sa sintagma tjetër ‘defteri i hallvaxhiut’ ku zakonisht shënohej emri i të vdekurit për të cilin ishte zier dhe përgatitur hallva.”
Megjithatë, frazat popullore jo gjithmonë janë të natyrës së tillë, denigurese e përçmuese ndaj grupeve dhe sekseve shoqërore.
Ato si “nata s’ka ispat”, “shtrij këmbët sa e ke jorganin”, e “mos i shiko gunën, po punën”, janë të tilla me mesazhe edukative e kulturore.
Më poshtë, një listë e frazave të ndryshme, përfshirë edhe ato që i përmendëm, e që meritojnë të jenë pjesë e një artikulli si ky.
Nëse ju kujtohet ndonjë tjetër që mendoni se meriton të jetë pjesë e këtij shkrimi, na shkruani në nacionale@2022.com
Mos i shiko gunën po shikoja punën.
Nata s’ka ispat.
Dita e mirë shihet n’sabah.
Grusë së krehne dhe rrugës së rrehme, mos iu ndaj. (seksiste)
Ku prek plaki, del gjaki.
Gratë janë flokëgjata e mendjeshkurta. (seksiste)
Pa pare, as hoxha s’hyp në minare. (paragjykuese)
Shpija e fshime edhe gruja e q*me, s’kanë të pagumë. (seksiste)
Paqeta e cigares në tavolinë edhe gruja në krevet, nuk veten. (seksiste/inkurajim përdhunimi, tona t’zezat)
Shtrij këmbët sa e ke jorganin.
Fjalët janë gra, veprat burra. (seksiste)
Gruja e ka shti dreqin n’shishe. (seksiste)
Budallës lëshoja rrugën.
Kerrin edhe grunë nuk bon me ia lypë kërkujt. (seksiste)
Kush çohet herët i ka dy nafaka./ Nacionale