Kërcënimi ndaj kandidatit të PDK-së për kryetar të Zubin Potokut, Prokuroria nis hetimet

- in Lajme

Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryetar të Komunës së Zubin Potokut në veri të vendit, Izmir Zeqiri, gjatë ditës së sotme ka qenë cak i një kërcënimi nga një person ende i paidentifikuar, raporton Gazeta Sinjali.

Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë me dije se Prokuroria tashmë ka nisur hetimet lidhur me rastin në fjalë, i cili me urdhër të Prokurorit të Shtetit është cilësuar si ‘Kanosje’.

Zeqiri ka deklaruar para organeve të rendit se ka pranuar thirrje nga një person i panjohur i cili është prezantuar me emër serb dhe i njëjti e ka kërcënuar.

Lidhur me këtë, vetë kandidati i PDK-së është deklaruar edhe në emsionin Frontal në T7, ku ka thënë se personi që e ka telefonuar e ka sharë dhe i ka kërkuar të zhduket.

“Duke pasur parasysh që në Komunën tonë Policia janë të zënë, unë shkova e dhash deklaratën në stacion në Jug. Se ishte edhe një thirrje tjetër e dyshimtë. Personi dëshironte që të më frikësonte. I thash je i vetdijshëm që jam banor të Zubin Potokut. Më tha e di që je banor i Qafës e më shajti. Më tha që jam vetë i 30-ti, më tha zhduku. Këto ishin kërcënimet”, ka shtuar tutje ai.

“Për mua këto gjëra janë shqetësim, por jo për t’u frikësuar. Veriu ende s’ka arritur të çlirohet nga këto grupe. Por kurdo që e lypë nevoja jam i gatshëm me e dhënë kontributin tim. Jam edhe banor por edhe aktivist. Ky është vendi im ku jetoj dhe përpiqem ta jap kontributin tim”, ka thënë ndër të tjera.

/GazetaSinjali/