Scholzi ia sqaroi Vuçiqit zotimet për të zbatuar Marrëveshjen e Ohrit.
Kështu thuhet në kumtesën për media të lëshuar nga Kancelaria Federale Gjermane, siç e artikuloi zëdhënësi Steffen Hebestreit, rreth bisedës telefonike të zhvilluar mëngjesin e sotëm mes Kancelarit Olaf Scholz dhe Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Në komunikatë mes tjerash, thuhet se Scholz ia rikujtoi Vuçiqit “rëndësinë” që ka dialogu për normalizim të marrëdhënieve çka Gjermania “vazhdimisht e mbështet”.
“Kancelari theksoi rëndësinë e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe ritheksoi mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë për të. Ai gjithashtu sqaroi angazhimet e Serbisë për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit”.
Për bisedën me Scholz-in u deklarua edhe Presidenti i Serbisë, përmes një postimi në Facebook ku u ankua se “Prishtina me këmbënbgulje i shmanget themelimit të Asociacionit”.
“Kancelarin Scholz e informova në detaje për gjendjen pothuajse të patolerueshme për komunitetin serb në Kosovë, si dhe për shmangien e vazhdueshme të Prishtinës për të përmbushur obligimet e pranuara dhe të nënshkruara, veçanërisht në lidhje me formimin e Asociacionit të Komunave (të banuara me shumicë) serbe”, shkroi Vuçiqi në Facebook.
Scholz – bashkë me Presidentin e Francës dhe Kryeministren e Italisë – herën e fundit që kishin lëshuar komunikatë nga zyret e tyre drejtuar Serbisë, ishte që Serbia “ta njohë de-facto Kosovën” siç edhe nënkuptohet në Marrëveshjen e Bruksel/Ohrit; marrëveshje kjo e sponzorizuar nga Franca dhe Gjermania.
Serbia pretendon se në Marrëveshjen e Ohrit nuk përfshihet “njohje as de-facto as de jure”; teksa kaherë është thirrur në disa të ashtuquajtura “vija të kuqe” ku supozojnë që – pavarësisht Nenin 4 – “nuk lejojmë Kosovën në OKB”.
Serbisë veçse i është amandamentuar Kapitulli 35 i negociatave të saj për anëtarësim në Bashkimin Evropian me Marrëveshjen e Bruksel/Ohrit të arritur në shkurt dhe mars të vitit të kaluar.
Nga kjo marrëveshje supozohet që Kosova të vazhdojë pa penguar integrimin e saj euro-atlantik vis-a-vis sigurimit të një niveli vetëqeverisjeje për serbët e Kosovës përmes një strukture të Asociacionit të Komunave të banura me shumicë serbe.
Kushtëzimi franko-gjerman i Kosovës për KiE
Kancelari Gjerman Olaf Scholz ditëve të fundit zhvilloi bisedë telefonike edhe me Kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, të cilit i ka kërkuar – dhe atë në formë kushti – që të merr “hapa konkretë” në drejtim të themelimit të Asociacionit “në ndërlidhje” me anëtarësimin eventual të Kosovës në Këshillin e Evropës; kërkesë kjo e refuzuar nga Kurti.
“Olaf Scholz nënvizoi rëndësinë e hapave konkretë nga autoritetet e Kosovës për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, edhe në lidhje me aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës”, u tha në komunikatën për media lëshuar javë më parë.
Para Scholz-it, ishte Emmanuel Macron i cili kërkoi “hapa të shpejtë dhe të paprakthyshëm për Asociacionin…në kontekstin e aplikimit të Kosovës në KiE”.
Kësisoji që të dy, Scholz e Macron, e ndërlidhën anëtarësimin eventual të Kosovës në KiE me vetë çështjen e Asociacionit.
“Macron nënvizoi rëndësinë që Franca i vendos, poashtu në kontekstin e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, hapave të shpejt dhe të paprakyeshëm në zbatimin e Asociacionit nga autoritetet e Kosovës”, thuhej në komunikatën e presidencës franceze.
Se duhet hapa “urgjent përparimi” drejt Asociacionit në këtë kontekst ia kumoti edhe vetë Ndihmës Sekretari amerikan të Shtetit, Jim O’Brien i cili madje edhe krejt integrimin euro-atlantik të Kosovës e shkroi vis-a-vis zbatimin të marrëveshjes Kosovë-Serbi.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbështesin integrimin Euro-Atlantik të Kosovës. Për të evur para, duhet zbatim i zotimeve të ndërmarra në dialogune BE-së, përfshirë këtu përparim urgjent drejt Asociacionit. Me Kryeministrin Kurti diskutova hapat pozitivë që kërkohen”, kishte shkruar Jim O’Brien për këtë takim me kryeministrin kosovar./Demokracia