KEK-u shtron asfalt, 374 mijë euro i jepen një kompanie të akuzuar për korrupsion në Shqipëri

- in Lajme

Misioni i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) është të sigurojë prodhimin e qëndrueshëm të energjisë elektrike si prodhuesi më i madh në vend, duke kontribuar në zhvillimin e qëndrueshëm energjetik të Kosovës. Megjithatë, së fundmi korporata ka vendosur të përfshihet edhe në projekte infrastrukturore, përfshirë shtrimin e asfaltit – një fushë që tradicionalisht mbulohet nga kompetencat e komunave. Kompania që KEK-u synon të angazhojë ka probleme të theksuara me ligjin, shkruan Demokracia.com.

KEK-u ka ndërhyrë pak në kompetencat e Komunës së Obiliqit, e cila ka mandat të asfaltojë rrugët lokale. Korporata hapi një tender për “Asfaltimin e rrugës nga kyçja në rrugën Dardhishtë deri në hyrje të Mirashit” – rrugë që të çon drejt minierës. Tashmë janë shpallur fituesit dhe kontrata pritet të nënshkruhet me konsorciumin “Vëllezërit Hysa SH.P.K.; CONEX L.L.C.; SKY – GROUP SH.P.K.”, me një ofertë prej 374,745.38 euro.

Pas shqyrtimit të ofertave të 15 kompanive, fituesit u përzgjodhën për shkak të çmimit më të ulët të ofruar, që ishte kriteri kryesor për dhënien e kontratës. Demokracia.com zbuloi se kompania kryesore në konsorcium, “Vëllezërit Hysa SH.P.K.”, është nga Elbasani i Shqipërisë dhe menaxhohet nga Besnik Hysa. Në këtë konsorcium marrin pjesë edhe “CONEX L.L.C.” nga Prishtina dhe “SKY – GROUP SH.P.K.” nga Fushë Kosova.

Demokracia.com gjithashtu ka zbuluar se “Vëllezërit Hysa SH.P.K.” ka sfida të shumta ligjore në Shqipëri. Më 19 shtator, Prokuroria e Tiranës përfundoi hetimet ndaj ish-ortakut të kësaj kompanie, Agron Hysa, si dhe administratorit të kompanisë “Sulova Ndërtim Prodhim”, Elton Musta, për akuzën e “Falsifikimit të Dokumenteve” në bashkëpunim. Çështja e tyre është dërguar për gjykim dhe hetimet kanë zbuluar një skemë të ndërlikuar të përdorimit të “Sulova Ndërtim” për të marrë pjesë në tendera në emër të “Vëllezërit Hysa”.

Në hetimet për tenderin e tunelit të Skërficës dyshohet se Hysa dhe Musta kanë paraqitur informacione të rreme mbi pjesëmarrësit dhe përfituesit e vërtetë të tenderit, duke përdorur struktura të krijuara për të mashtruar prokurimet publike. Hetimi gjithashtu tregon se kompania “Sulova Ndërtim” ishte thjesht një emër formalisht i krijuar për të mbuluar pjesëmarrjen e “Vëllezërit Hysa” në procedura tenderuese.

Kompania “Vëllezërit Hysa” dhe “Sulova Ndërtim Prodhim” janë pjesë e hetimeve të SPAK-ut, Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në Shqipëri, për skandalin e tenderit të Skërficës. SPAK ka akuzuar edhe ish-drejtoren e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Sonila Qato, si dhe zyrtarë të tjerë për përfshirje në këtë aferë, shkruan Demokracia.com.

Sipas mediave shqiptare, “Vëllezërit Hysa SH.P.K.” është një kompani me histori të gjatë të dyshimeve për veprimtari të pandershme, që shpesh ka rënë në radarin e SPAK-ut për tenderë të ndryshëm. Nëse KEK-u angazhon këtë kompani, kjo mund të ngrijë dyshime mbi transparencën dhe përkushtimin e institucionit për integritet në prokurimet publike. /Demokracia.com/