KEK-u nuk lëshon pe për kontraktorin e Vetëvendosjes, brenda ditës e shpërblen me dy tenderë në vlerë afër 7 milionë euro

- in Lajme

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) e ka prolonguar qëllimisht procesin e tenderit për furnizimin me mazut, duke favorizuar një kontraktor të lidhur ngushtë me Lëvizjen Vetëvendosje. Ky veprim është pasuar nga një kontratë emergjente e lidhur me kompaninë “EX-Fis”, e cila tashmë është e njohur për lidhjet e saj me partinë e Albin Kurtit. Kontrata tjetër e rregullt në një vlerë prej disa miliona euro pritet të lidhet këtyre ditëve dhe përsëri një tjetër me negocim, shkruan Demokracia.com.

Pasi ka dhënë dritën e gjelbër Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP), KEK-u ka publikuar njoftim të ri në e-prokurim, ku ka bërë të ditur se ka rekomanduar për nënshkrim të kontratës kompaninë “EX-Fis” për tenderin “Furnizim me lëndë djegëse për kaldajë – mazutë Fuel Oil 1.0%”, në një vlerë prej 6, 381, 572. 14 euro.

Kohëzgjatja e kontratës do të jetë 3 vite.

Më 19 janar 2023, KEK shpalli një tender. Por, procedura ishte prolonguar për disa muaj në Organin Shqyrtues të Prokurimit.

Fillimisht, kompania “EX-Fis” u rekomandua për kontratë, por menjëherë pas kësaj, kompania tjetër garuese, “Patroni”, ankoi KEK-un duke pretenduar se kompania e rekomanduar nuk kishte plotësuar kushtet e tenderit.

KEK-u shqyrtoi ankesën dhe e ktheu për rivlerësim, por përsëri rekomandoi për kontratë kompaninë “EX-Fis”, shkruan Demokracia.com.

Më pas, “Patroni” ankohet në OSHP në muajin qershor me pretendimin se “Ex Fis” është ofertues që nuk i ka përbushur kërkesat. Ky institucion ka rekomanduar që t’i jepet kontrata “Ex Fis”.

Po gjatë ditës së sotme, KEK u ka lidhur një kontratë emergjente me negocim pa publikim të njoftimit për kontratë me këtë kompani.

Bëhet fjalë për “FURNIZIM ME VAJ PER NGROHJE–MAZUT (Fuel Oil 1.0%” në një vlerë prej 570,352.18 euro.

Para pak javëve, KEK kishte realizuar një tjetër kontratë me negocim me “Ex Fis” për të njëjtin qellim, në një vlerë prej 722,000 euro, e cila pritet të skadojë së shpejti.

Kompania “EX-Fis” është kontraktor i rregullt i partisë së Albin Kurtit, ku automjetet partiake furnizohen me derivate në pikat e pompave të saj. Të dhënat e shpenzimeve të Lëvizjes Vetëvendosje për periudhën 2020-2023, të publikuara në faqen e KQZ-së, tregojnë se partia është furnizuar ekskluzivisht nga “EX-Fis” me një vlerë prej 75,000 euro gjatë këtyre katër viteve.

Shpenzimet e Lëvizjes Vetëvendosje për derivate nga “EX-Fis”:

2023: 19,236.56 euro

  • 2022: 19,708.94 euro

  • 2021: 8,790.04 euro

  • 2020: Dy pagesa nga 13,863.52 euro.

Në vijim, mund të shihni ankesën e bërë në OSHP që përmban pretendime se “EX-Fis” nuk ka përmbushur kushtet në tenderin e hapur të vlerës 6.6 milionë euro: KETU. /Demokracia.com/