Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka shpalosur të gjeturat mbi influencën e grupeve të ndryshme të interesit në procesin legjislativ. Në analizën e KDI-së konsiderohet se ky fenomen është mjaft i paraqitur në Kuvend dhe Qeveri. Përmes një konference për medie u vunë në pah edhe disa nga rastet e dyshimta, për të cilat sipas tyre ka pasur intervenime të grupeve të interesit në hartimin e ligjeve. Për këtë arsye, KDI kërkoi nga Qeveria e Kosovës që ta përfshijë në agjendën legjislative të vitit 2022, Projektligjin për rregullimin e aktiviteteve lobiste në Kosovë.
Menaxheri i programit Transparencë dhe Antikorrupsion në KDI, Arben Kelemendi tha se në bazë të analizës të bërë prej vitit 2008 e tutje, shihet ndikimi që grupet e ndryshme të interesit po ushtrojnë në vendimmarrjen brenda institucioneve shtetërore.
Sipas tij, përveç procesit të hartimit të ligjeve, ndikimi i tyre shihet edhe në hartimin e Udhëzimeve Administrative.
Kelmendi: Ka ndikim të legjislacionit të porositur në legjislativ dhe ekzekutiv
“Kemi parë se ky ndikim është i shpërndarë si në legjislativ dhe ekzekutiv. Disa raste të dyshimta kanë qenë udhëzimi administrativ për shërbime shëndetësore jashtë vendit. Ne kemi konsideruar se aty është devijuar nga Ligji për Shëndetësi. Rasti tjetër është udhëzimi administrativ për homologimin e automjeteve i cili e legalizon monopolin e një kompanie që bënë shërbime të homologimit në Kosovë dhe që nuk është në përputhje me Ligjin për Automjete. Kemi pas edhe tentativa të pasuksesshme të legjislacionit të porositur.. […]Kemi pa Projektligjin për financimin e partive politike në tentativë për me shty përpara agjenda të partive politike të caktuara në Kosovë. Tjetra është Projektligji për noterinë, kemi pa edhe zhurmën mediatike që është bërë që ulën kriteret se kush mundet të kandidojë dhe rritet numri i noterëve, kjo do të thotë se lehtësohet kriteret për disa qytetarë të Kosovës që mund të regjistrohen dhe certifikohen si noter. Këto kanë qenë një sërë legjislacionesh që konsiderojmë se ka pasur ndërhyrje të akterëve jashtë institucionalë”, tha ai.
Megjithatë, Kelemendi tha se jo të gjitha ndërhyrjet jashtë institucionale janë jo legjitime, por për të pasur transparencë më të madhe duhet të miratohet Projektligji për lobim.
Kelmendi: Të përfshihet në agjendën legjislative Projektligji për lobim
“Ne konsiderojmë se jo të gjitha këto ndërhyrje nga akterët jashtë institucionalë janë jo legjitime, konsiderojmë se këto aktivitete vetëm e rrisin diversitetin dhe janë të dobishme për demokracinë, por nëse këto aktivitete nuk rregullohen me ligj dhe nuk ka transparencë të mjaftueshme mund ta dëmtojnë demokracinë. Pasi grupe të ndryshme të interesit, duke përfshirë krimin e organizuar, mund të shfrytëzojnë këto boshllëqe ligjore për të shtyrë agjendat e tyre në institucione. Për këtë arsye ne kemi rekomanduar që Qeveria e Kosovës në agjendën legjislative të vitit 2022 të fusë në agjendë Projektligjin për rregullimin e aktiviteteve lobiste në Kosovë. Përveç kësaj, ky projektligj duhet ta definojë qartë edhe kush mund të jetë lobues, cilat janë disa nga aktivitetet legjitime të lobimit, cilat janë institucionet që mund të lobojnë. Ligji duhet të parasheh edhe një regjistër të lobuseve”, shtoi Kelmendi.
Krahas këtyre, Kelmendi tha se qëllimi kryesor i këtij punimi ishte të iniciojë debatin në shoqërinë kosovare rreth rolit të aktorëve të ndryshëm jashtë institucionale në vendimmarrje dhe të bëjë një vlerësim preliminar të nevojës për rregullim ligjor të tij./KP