Ministri i Shëndetësisë (MSH), Rifat Latifi, sërish ka marrë vëmendje gjatë vizitës së tij në Institutin e Onkologjisë dhe Klinikën e Radiologjisë në QKUK. Ai është paraqitur sërish me ‘kaubojkat’ e tij, shkruan Gazeta Metro.
Në Institutin e Onkologjisë, Ministri Latifi u takua me drejtorin e këtij Instituti Ardian Millaku dhe u diskutua përmirësimi i shërbimeve shëndetësore.
“Ministri Latifi tha se Ministria ofron përkrahje që pacientët të jenë të kënaqur me shërbimet që merren në Onkologji dhe qëllimi është ngritja e mëtejme e cilësisë së tyre.
Ndërkaq, në Klinikën e Radiologjisë, Ministri Latifi u takua me drejtoreshën, Dr. Shkëndije Nuza, e cila shpalosi punën, projektet dhe prioritetet, të cilat kanë të bëjnë me zhvillimin e procedurave diagnostike dhe zhvillimin e klinikës së Radiologjisë në përgjithësi”, thuhet në njoftimin e MSH’së.
Mirëpo ajo që bie në sy nga kjo vizitë, janë këpucët ‘kaubojka’ të ministrit.
Latifi në shumë dalje publike është parë me kaubojka, i cili edhe duket se ka shumë modele të tyre.
Temperaturat tash janë mjaft të larta, por ministri nuk po i heq ende këpucët me gryka – ‘kaubojkat’. /gazetametro.net