Fundi i vitit të ardhshëm ose fillimi i 2026-ës, mund të shënojë përfundimin e procesit gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi ndodhen në paraburgim në Hagë – qyteti holandez ku Gjykata Speciale e ka selinë – që prej nëntorit të vitit 2020. Numri i dëshmitarëve të prokurorisë në atë që njihet si gjykimi i madh ka mbërritur njëqindëshin.
Prokuroria atje ka hequr dorë nga dëgjimi i disa dëshmitarëve dhe i ka pranuar disa dëshmi me shkrim.
Të premten më 1 nëntor, ZPS njoftoi se nuk do të mbështetet më në dëshmitë e dymbëdhjetë dëshmitarëve. Gjithashtu u bë e ditur se ZPS-ja do t’i paraqesë deklaratat e tetë dëshmitarëve me shkrim në vend të dëshmive të drejtpërdrejta në gjykatë.
Çështja e ZPS-së është paraparë të mbyllet në prill të vitit të ardhshëm, për t’i hapur pastaj rrugë asaj të mbrojtjes.
Avokatët në Kosovë dhe monitoruesit vlerësojnë se ky proces është tejzgjatur.
Artan Çerkini, avokat i akredituar nga Specialja, thotë për KosovaPress, se ka hapësirë për reduktim më të madh të numrit të dëshmitarëve. Duke folur për këtë proces, monitoruesi nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë, Amer Alija beson që deri në fund të vitit të ardhshëm ndaj ish-krerëve të UÇK-së do të ketë një vendim të prerë të shkallës së parë.
E Astrit Kolaj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, thotë për KosovaPress, se shkurtimi i kohëzgjatjes së këtij procesi gjyqësor nuk duhet t’i dëmtojë palët në procedurë.
Një pjesë e madhe e këtij procesi gjyqësor ka kaluar në seanca të mbyllura për publikun dhe me dëshmitarë të mbrojtur.
Gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve nisi në prill të vitit 2023.
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha akuzat./Demokracia