Abedin Zeka nuk do të jetë më vetëm një shofer veture. Vozitësi i kryetarit të Komunës së Podujevës tash e tutje do të jetë në rolin e mbikëqyrësit të një ndërmarrje publike. Aktivisti i LVV-së është emëruar zyrtarisht anëtar i Bordit të Kompanisë Rajonale të Mbeturinave ‘Pastrimi’.
Nga aktivist politik, në shofer, në anëtar bordi. Një ngjitje kaq të shpejtë në karrierë nuk e kishte paramenduar para tri vitesh Abedin Zeka.
Rreth dhjetë ditë më parë, aktivisti i hershëm i Lëvizjes Vetëvendosje është emëruar anëtar në Bordin e Drejtorëve të Ndërmarrjes Publike ‘Pastrimi’ në Podujevë.
Për ta ‘graduar’ në pozitë shoferin e kryetarit Bulliqi, komisioni komunal i aksionarëve të Komunës së Podujevës e ka shkarkuar fillimisht ish-anëtarin e bordit, Bujar Asllanin. Asllani ishte emëruar në këtë pozitë para një viti.
Shkarkimi i tij u arsyetua me “skadimin e kontratës si dhe gjendjes jo të mirë të krijuar në këtë ndërmarrje”.
Në vend të Asllanit dy anëtarët e komisionit, Bahri Selimi dhe Drita Pajaziti e propozuan për emërim në këtë bord, Abedin Zekën.
Në vendim, thuhet se Zeka do të qëndrojë përkohësisht në këtë funksion publik.
Për këtë përzgjedhje ka reaguar ashpër opozita në Podujevë. Ekrem Rrahmani nga LDK-ja ka thënë se vendimi i shkarkimit është në kundërshtim të plotë me ligjin.
“Per vendimet qe po merrni ne kundershtim me ligjin do t’ju perballim me Agjensionin Kundër Korrupsionit dhe me organet e drejtesise, mbi kete baze me ankese i jemi drejtuar tashme Agjensionit Anti Korrupsion”, është shprehur Rrahmani në një shkrim në Facebook.
Sipas ligjit, personi i cili emërohet në këtë pozitë i nevojitet kualifikim dhe përvojë pune e ngjashme në këtë pozitë, të mos jetë në periudhë prej 36 muajsh bartës i një posti udhëheqës i ndonjë partie dhe kësaj ndërmarrje sipas ligjit i nevojiten dy drejtorë ekspertë./Demokracia