Kanabisi në Kosovë është i paligjshëm, si për qëllime mjekësore ashtu edhe për qëllime rekreative.
Dënimet për posedimin e substancave të paligjshme parashihen sipas Kodit Penal të Kosovës.
Megjithatë, në shumë vende të botës kanabisi është legal, për arsye mjekësore. Së fundi vendim pro kësaj mori edhe shteti ynë fqinj, Shqipëria.
Por a pritet të ndodh kjo gjë edhe në Kosovë?
Nga Ministria e Shëndetësisë për Indeksonline njoftojnë se, tani për tani nuk është në mesin e çështjeve urgjente.
Por që, sipas MSH-së, çështja në fjalë duhet të trajtohet me fakte e nga profesionistë të fushave mjekësore.
“Kjo është një çështje që duhet të trajtohet në aspektin profesional nga profesionistët e fushave mjekësore dhe institucionet e ndryshme.
Por, nuk është në mesin e çështjeve urgjente, tani për tani, sepse çfarëdo vendimi duhet t’i paraprijnë dëshmitë shkencore të bazuara në fakte“, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Shëndetësisë.
Sipas studimeve, janë paraqitur me mijëra raste për efektivitetin e lartë kurues që ka kjo bimë mjekësore për pacientë që vuajnë nga sëmundje të ndryshme.
Legalizimi i kanabisit mjekësor ka krijuar një industri të madhe farmaceutike.
Ndërkohë, kjo industri po ecën me hapa të mëdhenj zhvillues, duke sjellë shumë përfitime për vendet që e kanë legalizuar./Indeksonline/