“Kam me të vra”/ Kapadaia në Prishtinë kërcënon me jetë kushëririn e tij, arrestohet

- in Lajme

Mosmarrëveshjet e ndryshme mes familjarëve shpesh herë përcillen edhe me të shara, ofendime e kërcënime ndaj njëri-tjetrit. Në raste të veçanta kur situata eskalon plotësisht, kërkohet edhe intervenimi i Policisë së Kosovës për të zgjidhur telashet, raporton Gazeta Sinjali.

Mbrëmë rreth orës 19:40 një person teksa po qëndronte para lokalit të tij për shitjen e telefonave dhe pajisjeve tjera teknologjike në rrugën ‘Dëshmorët e Kombit’, është përballur me kërcënime serioze nga një person me të cilin ka lidhje familjare.

Sinjali mëson se 36-vjeçari kishte shkuar me veturën e tij dhe ishte ndalur para lokalit, ku e kishte sharë e ofenduar me fjalë të rënda viktimën, të cilit po ashtu i tha fjalë kërcënuese se do ta vrasë.

Përballë kësaj situate, 29-vjeçari ka denoncuar rastin në Polici, ku ka deklaruar se me të dyshuarin kohë më parë ishin në një proces gjyqësor për një rast.

I dyshuari është arritur që të arrestohet dhe i njëjti është shoqëruar në stacion policor për intervistim, ku ndaj tij është iniciuar rasti ‘Kanosje’.

Me urdhër të prokurorit të shtetit, atij i është caktuar masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh.

/GazetaSinjali/