Kah po i çojnë paret?! Lista GUXO nuk e kalon testin e auditorit financiar, s’e deklaron asnjë cent për vitin 2023

- in Lajme

Në pasqyrat financiare të audituara, të hyrat e subjektit politik që bashkëqeveris me vendin, partia Lista GUXO, janë zero.

Në Raportin e Auditorit të pavarur për periudhën 1 janar 2023 – 31 dhjetor 2023, thuhet se mungon aktiviteti financiar i kësaj partie.

Ani pse kryetarët e saj, Donika Gërvalla Schwarz që mban edhe pozitën e zëvendëskryeministres dhe ministres së Jashtme dhe Faton Peci, ministër aktual i Bujqësisë, janë pjesë e Qeverisë Kurti II, e të cilët vazhdimisht thirren në ruajtjen e parasë publike si dhe në transparencë të plotë të shpenzimit të saj.

Subjektet politike parlamentare, siç është edhe Lista GUXO, financohen edhe me para të shtetit, përmes Fondit për Demokratizim, duke i marrë disa miliona euro gjatë vitit, në bazë numrit të tyre të deputetëve në Kuvend. Gjatë vitit 2023 shteti i ka ndarë për partitë politike 4 milionë e 800 mijë euro. Lëvizja Vetëvendosje, pjesë e Grupit Parlamentar e të cilit në Kuvendin e Kosovës është edhe Lista GUXO, i ka marrë 2 milionë e 800 mijë euro. Por, partia që drejtohet nga dy kryetarë, ministrat Peci e Gërvalla, e që ka edhe pesë deputetë në Kuvendin e Kosovës, për periudhën e audituar, auditorit i ka paraqitur zero qarkullim financiar. Kjo ka bërë që Auditori ta rangojë si partinë parlamentare me vlerësimin më të ulët, atë të “Mohim i Opinionit”.

Kjo parti është e pamundur të ketë zero qarkullim financiar, gjithashtu për faktin se është subjekt që ushtron aktivitet, pasi posedon zyra në Prishtinë dhe në komuna tjera.

Sipas informatave të përgjithshme në raport, pasqyrat financiare të Listës GUXO janë përgatitur sipas kërkesave te Ligjit Nr. 04/L-212 Për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit Nr. 03/L-174 Për financimin e subjekteve politike, të ndryshuar dhe plotësuar me ligjin nr. 04/L-212 dhe me ligjin Nr.04/L-058, neni 15 Raportimi Financiar.

Bazuar në nenin 19 paragrafi 10 te Ligjit 08/L-122 Për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit Nr. 03/L-174 Për financimin e subjekteve politike, të ndryshuar dhe plotësuar me ligjin nr. 04/L-212 dhe me ligjin Nr.04/L-058 , Subjekti i regjistruar politik brenda pesëmbëdhjetë (15) ditëve nga marrja e rezultateve preliminare të kontrollimit mund ta dorëzojë raportin e rishikuar financiar dhe shpjegimin lidhur me çdo gabim të dukshëm ose lëshim të identifikuar nga auditorët”, thuhet në raport, por që nuk është paraqitur asnjë e dhënë financiare.

Ndonëse partia posedon llogari aktive bankare në Bankën për Biznes (BPB) dhe ka zhvilluar aktivitetet e saj gjatë vitit, në pasqyrën e pozitës financiare, ku përfshihen pasuritë afatgjate dhe afatshkurtra, detyrimet afatgjate dhe afatshkurtra, në ditën e fundit të vitit 2023 janë të deklaruara 0 euro, raporton Gazeta Online Reporteri.net. Njëjtë ishin edhe më 31 dhjetor 2022.

Të njëjtat shifra janë edhe në pasqyrën e të ardhurave dhe shpenzimeve, ku nuk është deklaruar asnjë cent qarkullim.

Lista GUXO nuk ka paraqitur as shpenzimet për pagat dhe kompensimet, për transport, reklama, reprezentacion e konferenca.

Të dhëna financiare nuk ka as për donacionet dhe kontributet në të holla dhe kategoritë tjera ku partitë obligohen që të deklarojnë pasqyrën e financave.

 

Pjesë e raportit është edhe adresimi drejtuar kryesisë së Listës Guxo, ku përfshihet mohimi i opinionit bashkë me bazat e tij.

Ne kemi audituar raportet financiare të bashkëngjitura të Subjektit Politik Partia GUXO (në vijimreferuar si “Subjekti Politik” apo “GUXO”), të përbëra nga Pasqyra e Pozitës Financiare me 31 Dhjetor 2023, Pasqyra e të Hyrave dhe Shpenzimeve për periudhën e përfunduar me këtë datë , dhe informacionin tjetër shpjegues të përfshira në fq. 8-12

Ne nuk shprehim një opinion mbi raportet financiare të vitit 2023 të Subjektit Politik Partia GUXO. Për shkak të rëndësisë së çështjeve të përshkruara në paragrafin bazat për mohim të dhënies së opinionit, ne nuk kemi qenë në gjendje të sigurojmë evidencën e nevojshme të auditimit për të pasur një bazë për një opinion të auditimit”, thuhet në mohimin e opinionit në Raportin e Auditorit të pavarur.

Në pjesën e bazave për mohim të opinionit, argumentohet mungesa e aktivitetit financiar për vitin 2023, përkundër faktit që Lista GUXO ka aktivitet të zhvilluar përgjatë 12 muajve.

Pasqyrat financiare nuk paraqesin asnjë aktivitet financiar për vitin e përfunduar me 31 Dhjetor 2023 përkundër faktit qe subjekti politik ka aktivitet të zhvilluar përgjatë vitit. Si auditorë, ne mbështetemi në të dhënat financiare për të vlerësuar drejtësinë e pasqyrave financiare, duke përfshirë plotësinë, saktësinë dhe pajtueshmërinë me Standardet Ndërkombëtare të Raportimit Financiar. Në këtë rast, mungesa e aktivitetit financiar na pengon nga kryerja e procedurave thelbësore të auditimit dhe i bën pasqyrat financiare të pavlefshme nga informacioni thelbësor i nevojshëm për një auditim”, thuhet më tej në raport.

Për dallim nga Lista GUXO, partneri i saj në Qeveri, Lëvizja Vetëvendosje, që ka të hyrat vjetore më të mëdha plot 2,000,750.24 euro, ka paraqitur aktivitetin e saj financiar në të gjitha kategoritë e parapara në Raportin e Auditorit të pavarur, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

Sipas opinionit të publikuar në raport, thuhet se pasqyrat financiare të bashkëngjitura të LVV-së paraqesin drejt në të gjitha aspektet materiale pozicionin financiar të partisë dhe të hyrat e shpenzimet në pajtim me Ligjin.

Ne kemi audituar raportet financiare të bashkëngjitura të Subjektit Politik “LËVIZJA VETËVENDOSJE” (në vijim referuar si “Subjekti Politik” SP”), të përbëra nga Pasqyra e Pozitës Financiare me 31 Dhjetor 2023, Pasqyra e të Hyrave dhe Shpenzimeve për periudhën e përfunduar me këtë datë, dhe informacionin tjetër shpjegues të përfshira në faqe 8-19.

Sipas opinionit tonë, pasqyrat financiare te bashkangjitura paraqesin drejtë, në të gjitha aspektet materiale, pozicionin financiar të Subjektit Politik me më datën 31 Dhjetor 2023, dhe të Hyrat dhe Shpenzimet për periudhën, në pajtim me me Ligjin 08/L-122 Për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit Nr. 03/L-174 Për financimin e subjekteve politike, të ndryshuar dhe plotësuar me ligjin nr. 04/L-212 dhe me ligjin Nr.04/L-058”, thuhet në raport.

Në pasqyrën e pozitës financiare ku Lista GUXO kishte deklaruar 0 euro në pasuritë afatgjate e afatshkurtra, LVV-ja ka deklaruar gjithsej 1,465,928.81 euro, 1,321.018.61 euro ekuitet dhe 144,910.20 detyrime.

Po ashtu janë të paraqitura edhe donacionet dhe kontributet në të holla për anëtarët e partisë, me data dhe shumën e dhënë, si dhe mënyrën e pagesave të cilat janë kryer përmes transaksioneve bankare. Gjithsej shuma e të donacioneve dhe kontributeve në të holla është 22,366.00 euro.

Në raportin për LVV-në ka të dhëna financiare edhe për shpenzimet në toka, objekte e pajisje, për pagesën e qirave të zyrave, furnizimin me derivate, pagesën e energjisë elektrike e të tjera.

Auditori i pavarur opinion të njëjtë ka dhënë edhe për pasqyrën financiare të Partisë Demokratike të Kosovës, për të cilën thuhet se paraqet drejt në të gjitha aspektet materiale pozicionin financiar.

Ne kemi audituar raportet financiare të bashkëngjitura të Subjektit Politik “Partia Demokratike e Kosovës”(në vijim referuar si “Subjekti Politik” apo “PDK”), të përbëra nga Pasqyra e Pozitës Financiare me 31 Dhjetor 2023, Pasqyra e te Hyrave dhe Shpenzimeve për vitin e përfunduar me këtë datë, dhe informacionin tjetër shpjegues të përfshira në faqe 9-14.

Sipas mendimit tonë, me përjashtim të efekteve për çështjet e përshkruar në seksionin e Bazës për Opinion të kualifikuar të raportit tonë, Pasqyrat Financiare të bashkangjitura paraqesin drejt, në të gjitha aspektet materiale, pozicionin financiar të subjektit Politik me datën 31 Dhjetor 2023, dhe të Hyrat dhe Shpenzimet për vitin e përfunduar me këtë date, në pajtim me Ligjin Nr. 03/L-174, Për financimin e subjekteve politike dhe me Ligjin 08/L-122 Për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit Nr. 03/L-174 Për financimin e subjekteve politike, të ndryshuar dhe plotësuar me ligjin nr. 04/L-212 dhe me ligjin Nr.04/L-058”, njofton auditori.

Në pasqyrën e pozitës financiare, PDK-ja ka deklaruar për vitin 2023 gjithsej 27,053.46 euro. Ndërsa në pjesën e të hyrave vjetore, partia e Memli Krasniqit ka deklaruar 951,483.00 euro, kurse 717,543.90 euro janë shpenzime.

Po ashtu janë paraqitur edhe të dhënat tjerasa i përket shpenzimeve për pagat, qiratë, reklamat e aktivitetet dhe detyrimet tjera të partisë.

Edhe për Lidhjen Demokratike të Kosovës, auditori ka deklaruar se pasqyrat financiare paraqesin drejt në të gjitha aspektet materiale pozicionin financiar të partisë.

Ne kemi audituar raportet financiare bashkëngjitura të Subjektit Politik “Lidhja Demokratike e Kosovës” (në vijim referuar si “Subjekti Politik” apo “LDK”), te përbëra nga Pasqyra e Pozitës Financiare me 31 Dhjetor 2023, Pasqyra e te Hyrave dhe Shpenzimeve për periudhën e përfunduar me këtë datë , dhe informacionin tjetër shpjegues të përfshira ne fq. 6-14

Sipas mendimit tonë, me përjashtim të efekteve për çështjet e përshkruara në seksionin e Bazës për Opinionin të kualifikuar të raportit tonë, Pasqyrat Financiare të bashkangjitura paraqesin drejt, në të gjitha aspektet materiale, pozicionin financiar të subjektit Politik me datën 31 Dhjetor 2023, dhe të Hyrat dhe Shpenzimet për periudhën, në pajtim me Ligjin 08/L-122 Për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit Nr. 03/L-174 Për financimin e subjekteve politike, të ndryshuar dhe plotësuar me ligjin nr. 04/L-212 dhe me ligjin Nr.04/L-058”, thuhet në raport.

Sipas raportit të publikuar, LDK-ja ka 723,169.92 euro të hyra vjetore në 2023, kurse shpenzimet vjetore të partisë së drejtuar nga Lumir Abdixhiku, janë 431,824.38 euro.

LDK-ja ka bërë publike edhe shpenzimet për pagat e kompensimet, shpenzimet për transportin, reklamat, reprezentacionin dhe konferencat dhe shpenzimet tjera të partisë.

Ndryshe, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve më 2 korrik ka njoftuar se janë publikuar raportet financiare të vitit 2023 pas përfundimit të procesit të auditimit nga auditorë të cilët janë përzgjedhur nëpërmjet një konkursi të hapur publik nga Zyra për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike (ZRCKFSP).

Partive politike, të cilat janë të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës, për një vit, nga buxheti u ndahen më shumë se miliona euro. Kjo ndarje bëhet në bazë të përfaqësimit të numrit të ulëseve të fituara në Kuvend për një mandat.

Në janar të këtij viti, KQZ-ja ka marrë vendim për caktimin e lartësisë së mjeteve nga fondi për mbështetjen e partive politike për periudhën 1 janar – 31 dhjetor 2024. Shuma e mjeteve për financimin e subjekteve politike dhe për mbështetjen e punës së deputetëve, ka vlerën 4 milionë e 800 mijë euro.

Nga kjo ndarje më së shumti përfiton partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, me ç’rast shuma totale për këtë subjekt është 2 milionë e 280 mijë euro.

Partitë politike çdo vit në datën 1 mars dorëzojnë raportet e tyre financiare vjetore në KQZ-së, të cilat auditohen nga auditori i pavarur./Demokracia