Joystick-at, batanijet, popull agjil e gjumi i Bislimit: Figurat tallëse të pushtetit me krizën ekonomike

- in Lajme

 Rruga e Albin Kurtit drejt karriges së kryeministrit kaloi nëpër protesta të dhunshme, deklarata me nervozizëm, e kaos në seanca të Kuvendit.

Pushtetin, siç duket ai dhe vartësit e tij po duan t’a mbajnë me deklarata më të qeta e qesharake, që atyre mund t’iu duken “cool”, por të njëjtat ngjallën shumë reagime.

Shefi i ekzekutivit, ministra e zëvendësministra shumë herë janë përfolur nëpër media për deklaratat e tyre që i bëjnë karshi situatave të caktuara, që shpesh duke tentuar ta zbusin gjendjen, kalojnë në tallje.

Fundi i vitit 2021 në Kosovë shënoi fillimin e krizës energjetike, e cila i parapriu krizës ekonomike me të cilën vendi po përballet ende.

Talljet e pushtetarëve me qytetarët

Derisa kosovarët po përballeshin me rritje të çmimit të energjisë elektrike e i kishin kthyer sytë kah Qeveria për ndonjë ndihmë, ministrja e Ekonomisë, ua kishte gjetur një “zgjidhje”.

Kështu, ajo në dhjetor të vitit 2021, u bënte thirrje qytetarëve që t’i ndalin “konsolat e video-lojërave” apo “joystickat e Playstation”.

Më vonë, ajo e kishte sqaruar këtë deklaratë, ku sërish kishte thënë se kërkesa u është bërë qytetarëve me qëllim të kursimit të energjisë elektrike.

Talljes nuk ia kishte lënë lehtë as Kurti. I pari i shtetit i cili lavdërohet se ka marrë mbi 50 për qind të votave, qytetarëve dhe votuesëve të vet, u tregonte se në shtëpi ngrohet me batanije. Realisht, kryeministri duhej të dinte se ngrohja me batanije, nuk është zgjidhje për dy milionë banorët e Kosovës.

“Nga ana tjetër, nuk e kemi regjistrin e konsumatorëve në veri dhe ky është preokupimi ynë kryesor dhe kjo është çështja numër 1 me të cilën zgjohet në mëngjes dhe bie të fle në mbrëmje zëvendësi im – nëse fle – Besnik Bislimi, sepse sot nuk ka gjë më të rëndësishme për të, do të thosha edhe për shtetin tonë sesa të zbatohet ai udhërrëfyes dhe përfundimisht të kemi shërbimin e furnizimit edhe në veri, pagesën e energjisë së konsumuar, dhe në këtë mënyrë, stabilitetin energjetik në Kosovë”, tha kryeministri.

Popull “agjil”, që lëvizë lehtë e shpejtë, i ka konsideruar kosovarët ministri i Financave, Hekuran Murati. Kjo, atij i është dukur si metodë për t’u përballur me krizën ekonomike.

“Jemi të mësuar si qytetarë dhe si popull me kriza dhe duke marrur parasysh ne jemi goxha agjil, goxha të përshtatshëm ndoshta edhe më lehtë se popujt e tjerë”, kishte thënë Murati në një deklaratë derisa fliste për krizën ekonomike.

Kryeministri Kurti sot na surprizoi të gjithëve me një deklaratë tjetër tallëse. Derisa kosovarët e kanë paguar deri në dyfish më shumë energjinë elektrike përgjatë muajve të kaluar, Qeveria e paguante energjinë elektrike për serbët në veri.

Por kjo çështje, sipas kryeministrit do të zgjidhet shumë shpejt. Madje, ai ka deklaruar se zëvendësi i tij, Besnik Bislimi, mëngjes e mbrëmje mendon për këtë çështje.

“Preokupimi ynë kryesor është zbatimi i udhërrëfyesit i cili do të na mundësonte që sa më parë të fillojë edhe pagesa e energjisë elektrike në veri të Kosovës sepse shteti ynë, Qeveria jonë nuk mund ta përballojë as financiarisht dhe as materialisht një përsëritje të viteve të mëhershme. Pra, duhet të fillojë inkasimi i energjisë elektrike në veri të Kosovës. Ju e dini që Zyra e Rregullatorit për Energji i ka pasë dy javë që ta bëjë licencimin. E ka bërë për dy ditë, mirëpo nga ana tjetër, nuk e kemi regjistrin e konsumatorëve në veri dhe ky është preokupimi ynë kryesor dhe kjo është çështja numër 1 me të cilën zgjohet në mëngjes dhe bie të fle në mbrëmje zëvendësi im – nëse fle – Besnik Bislimi, sepse sot nuk ka gjë më të rëndësishme për të, do të thosha edhe për shtetin tonë sesa të zbatohet ai udhërrëfyes dhe përfundimisht të kemi shërbimin e furnizimit edhe në veri, pagesën e energjisë së konsumuar, dhe në këtë mënyrë, stabilitetin energjetik në Kosovë”, tha kryeministri.

Kosovarëve brenda pak muajve, iu është shtrenjtuar jeta

Gjatë muajit qershor, në vendin tonë është rritur kostoja e jetesës pas ngritjes së çmimeve në produktet bazike.

Agjencia e Statistikave të Kosovës ka treguar se cilat produkte janë shtrenjtuar më së shumti, ku theksohet qartë se çmimi i karburantëve ka shënuar rritje prej 15,4 për qind.

“Kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit te nëngrupet e COICOP-it: buka dhe drithërat (1,1%), mishi (1,4%), pemët (3,0%), sheqeri, reçeli, mjalti, çokollata dhe ëmbëlsirat (2,2%), kafja, çaji dhe kakao (2,3), pijet alkoolike (1,5%), lëndët djegëse të ngurta, dru zjarri, pelet, etj. (6,0%), mallrat dhe shërbimet për mirëmbajtjen e zakonshme të ekonomisë shtëpiake (1,8%), karburantet dhe lubrifikantët për pajisjet e transportit personal (15,4%), shërbimet për transport (5,9%), pushime të organizuara (4,1%), shërbime hoteliere (2,3%), kujdesi personal (1,5%)”, sqarohet në raport.

Raporti i publikuar nga ASK para disa ditësh tregon se edhe inflacioni në qershor ka qenë jashtëzakonisht i madh.

Sipas ASK-së, norma vjetore e inflacionit në qershorin që shkoi ishte 14.1%, në krahasim me muajin e njëjtë të 2021-tës.

“Inflacioni mujor i matur nga indeksi i harmonizuar i çmimeve të konsumit ishte 1,4% në muajin qershor 2022. Norma vjetore e inflacionit e matur në muajin qershor 2022 me muajin qershor 2021 ishte 14,1%”, theksohet në raportin e ASK-së.

Një normë e tillë e inflacionit është e krahasueshme vetëm me vitin 2008, i cili vit shënon krizën e madhe financiare e ekonomike të krejt eurozonës. Në vitin 2008, gjatë periudhës që njihet si “Recensioni i madh”, norma e inflacionit ishte saktësisht 14.02%. /Nacionale.com/