Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeff Hovenier, në konferencën ndërkombëtare për siguri kibernetike “Cyber ZERO”, ka theksuar se janë të përkushtuar që t’i mbështesin mediat e pavarura dhe shoqërinë civile.
“Jemi të përkushtuar të mbështesim Kosovën në shfrytëzimin e burimit të saj më të rëndësishëm – rininë e saj – dhe duke përfshirë ekspertizën e tyre në çështjet kibernetike. E di që shumë këtu identifikohen si ‘hakerë etikë’.
“Mezi pres t’i dëgjoj historitë tuaja të suksesit teksa “hakoni” për të mbrojtur gazetarët e pavarur të Kosovës dhe për të ndërtuar njohuri të përbashkëta në këtë sferë kritike të jetës moderne”.
“Unë dua të inkurajoj mediat këtu sot që të përfitojnë nga kjo mundësi për të reflektuar se ku mund t’ju duhet të forconi mbrojtjen tuaj kibernetike dhe të merrni këshilla dhe mbështetje nga ekspertët teknikë”.
Ndryshe, më 12 janar, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), ka komentuar raportin e Human Rights Watch (HRW).
Sipas AGK-së, “HRW sjell në pah klimën e rënduar të të bërit gazetari në Kosovë”.
Nga ky Asociacion, edhe një herë është theksuar gjuha e përdorur e bashkëshortit të presidentes, Vjosa Osmani, Prindon Sadriu dhe shefit të kabinetit të kryeministrit, Albin Kurti, Luan Dalipi.
“Në raportin për Kosovën, rëndësi e veçantë iu kushtua kushteve të punës së gazetarëve, ku u vu theks mbi sulmet, kërcënimet dhe ngacmimet në drejtim të tyre. Raporti e vë në pah gjuhën e përdorur nga Zotëriu i Parë, Prindon Sadriu, i cili në fillim të vitit të kaluar iu referua mediave dhe gazetarëve si “Organizatë e Përbashkët Kriminale”.
/Albanianpost.com