Iu gjetën 60 mijë euro: Gjykata i lëshon të mbrohen në liri Mujkën e Muzliukajn

- in Lajme

Faruk Mujka, ish zyrtar i lartë i Lëvizjes Vetëvendosje, është arrestuar nën dyshimin për korrupsion sa ishte nënkryetar i komunës së Mitrovicës, Komunë kjo që udhëhiqej nga Agim Bahtiri i LVV-së. Prokuroria Speciale ka kërkuar 30 ditë paraburgim për Mujkën e Muzliukajn por këtë kërkesë e ka refuzuar Gjykata Themelore në Mitrovicë.

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka konfirmuar se të dy do të mbrohen në liri.

“Gjykata Themelore Prishtinë ka vendosur lidhur me kërkesën për caktimin e masës së sigurisë në çështjen penale për të pandehurit F.M dhe H.M

Prishtinë, 15 korrik 2023 – Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për caktimin e masës së paraburgimit në çështjen penale kundër të pandehurve F.M dhe H.M për shkak të veprës penale Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar, sanksionuar nga neni 414 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 dhe me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Gjyqtari i Procedurës Paraprake kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve F.M dhe H.M e ka refuzuar dhe të njëjtit lihen në mbrojtje në liri.

Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.”

“60 mijë euro”
Në njoftimin e Prokurorisë Speciale, thuhet se në këtë aksion janë sekuestruar 60 mijë euro, e se vepra për të cilën dyshohen Mujka dhe një ish zyrtar tjetër është Keqperdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar.

Pas marrjes së informacionit në bazë të autorizimeve të PSRK-së, Policia e Kosovës ka ndërmarrë një sërë veprimesh hetimore, ndërsa me datë 03.07.2023, ka paraqitur Kallëzim Penal ndaj zyrtarëve me inicialet F.M. dhe H.M., me dyshimin se gjatë kohës sa ishin pjesë e udhëheqësisë në komunën e Mitrovicës së Jugut, gjatë vitit 2021, janë përfshirë në kryerjen e veprës penale ‘’Keqpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar’.’, e sanksionuar me nenin 414 të Kodit Penal të Republikë së Kosovës”. Gjatë bastisjes në njërin lokacion, ndër të tjera janë gjetur dhe sekuestruar shuma e të hollave prej gjashtëdhjetë mijë (60.000.00) euro.” “ – thuhet ndër të tjera në komunikatë.

Kodi Penal i Republikës së Kosovës, përkatësisht neni 414, parasheh dënim nga 1 deri në 8 vjet për kryerjen e kësaj vepre. Por, kur dëmi e kalon shumën prej 5 mijë euro, dënimi mund të shkoj deri në 10 vjet burgim.

“Personi zyrtar që e kryen veprën penale nga paragrafi 1 i këtij neni dhe përfitimi apo dëmi e tejkalon shumën prej pesëmijë (5000) euro, dënohet me gjobë dhe burgim prej tre (3) deri në dhjetë (10) vjet.” – thuhet në Kodin Penal.

Pasuria e Mujkës

Në deklarimin e tij të pasurisë për vitin 2022, shihet se Mujka qëndron goxha mirë financiarisht. Ish-kryetari i degës së VV-së ka treguar se i ka tri banesa, një prej tyre në pronësi të bashkëshortes. Tutje, ai e ka blerë edhe një shtëpi.

Tri banesat e Mujkës kapin shifrën e 135 mijë eurove, ndërsa shtëpia i kushton hiç më pak se 200 mijë euro. Si pasuri të luajtshme ai ka treguar një veturë të tipit Volsëagen, në pronësi të bashkëshortes, e cila kushton 4 mijë euro.

Të ardhura vjetore, ish-kryetari i VV-së në Mitrovicë, pra Mujka, ka dhënë mbi 2 mijë euro nga pozita në Ibër Lepenc, mëditje mbbi tre mijë euro dhe një pagë neto nga Ministria e Financave prej 300 euro. Tutje, ai ka deklaruar edhe 7 mijë e 500 euro të hyra vjetore të bashkëshortes së tij.

Ndryshe, Mujka ka qenë edhe nënkryetar i Këshillit të Përgjithshëm të VV-së./Demokracia