Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim lirues ndaj të akuzuarve Frashër Krasniqi, Adea Batusha, Egzon Haliti dhe Atdhe Arifi, lidhur me akuzën për terrorizëm.
Në këtë proces gjyqësor, i cili ishte kthyer në rigjykim, Krasniqi, Batusha, Haliti dhe Arifi, akuzoheshin se janë përgjegjës për sulmin në Kuvendin e Kosovës në gushtin e vitit 2016, që është kualifikuar si vepër terroriste.
Sipas aktgjykimit, Frashër Krasniqi, Adea Batusha, Egzon Haliti dhe Atdhe Arifi lirohen nga aktakuza, pasi nuk është vërtetuar se të njëjtit kanë kryer veprën penale që iu vihej në barrë.
Ish-deputeti Frashër Krasniqi ishte dënuar me 8 vjet burgim, Atdhe Arifi ishte dënuar me 6 vjet burgim, Egzon Haliti me 5 vjet e gjysmë si dhe Adea Batusha me 2 vjet heqje lirie.
Pas ankesave në Gjykatën e Apelit, kolegji i instancës së dytë gjyqësore, kishte vlerësuar se aktgjykimi i shkallës së parë është bërë me shkelje ligjore dhe e kishte anuluar të njëjtin dhe në këtë mënyrë, lëndën e kishte kthyer në rigjykim.
Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) në dhjetor të vitit 2016, kishte ngritur aktakuzë kundër Frashër Krasniqit, Atdhe Arifit, Egzon Halitit dhe Adea Batushës, të cilët i akuzonte për kryerjen e veprës penale të terrorizmit.