Ish-bashkëpartiaku “godet” Sveçlën: Kurti me aeroplan ekonomi dhe këshilltarët e MPJ 1 mijë euro në Vjenë

- in Lajme

Shpend Ahmeti, ish-bashkëpartiaku i ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka një koment për dhuratën e brendit “Rolex” që e ka pranuar ministri nga kryeministri i Katarit.

Në një deklarim në rrjetin social Twitter, Shpend Ahmeti ka krahasuar udhëtimet e kryeministrit Kurti me aeroplan “ekonomi” dhe shpenzimet prej një mijë eurosh të këshilltarëve të kryediplomates Gërvalla “për një orë në Vjenë”.

“Qekjo puna e Rolexit dhe deklarimit si kamarieri kur ti kthen 0.22 cent kusur. Me rregulla medemek. KM me economy, e keshilltaret e MPJ 1000 euro per nje ore ne Vjenë”, ka shkruar Ahmeti në rrjetin social Twitter.

Ora “Rolex” që iu dhurua Ministrit Xhelal Sveçla nga Kryeministri i Katarit, është zhdoganuar. Sipas Doganës, zyrtarët që ishin bashkë më Sveçlën kanë njoftuar për këtë dhuratë më 28 maj, ditën kur Sveçla ishte kthyer nga Katari.

Se një dhuratë e tillë i është bërë Sveçlës e kanë konfirmuar edhe nga Agjencia Kundër Korrupsionit.

Drejtori i AKK’së, Yll Buleshkaj, ka deklaruar për Gazetën Express se Kabineti i Ministrit Sveçla ka njoftuar për këtë dhuratë dhe që e njëjta do të deklarohet. /Express/