IPK jep detaje për arrestimin e 8 zyrtarëve policorë që dyshohen edhe për shitblerje të drogës

- in Lajme

Në mëngjesin e sotëm janë arrestuar tetë zyrtarë policorë me dyshimin se kanë kryer veprat penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, sipas nenit 414 të KPRK-së, s “Keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës ose autorizimeve publike” neni 195 ”, “Ushtrimi i ndikimit” neni 424, si dhe “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e substance narkotike”, sipas nenit 267.

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka njoftuar se aksioni është realizuar në tri lokacione në Prishtinë ku në cilësi të provave janë konfiskuar gjësende të ndryshme.

“Inspektorati Policor i Kosovës respektivisht Departamenti i Hetimeve ka arrestuar sot në orët e mëngjesit tetë zyrtarë policorë (punonjës në Stacionin Policor Jugu – Drejtoria Rajonale e Prishtinës). Hetimi lidhur me këtë rast kishte filluar kohë më parë pas pranimit të një ankesë dhe informacioneve përmes rrugëve operative me dyshimin fillestar se një zyrtar policor ishte i përfshirë në aktivitete të kundërligjshme”, tregon Inspektorati.

Në komunikatën e IPK-së thuhet se “Si rezultat i hetimit sot në orët e hershme të mëngjesit në Prishtinë është realizuar operacioni i koduar me emrin ‘Jugu” me ç’rast janë arrestuar tetë zyrtarë policorë me dyshimin për veprat penale’, ‘keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare”’ “cenimi i së drejtës për ushtrimin e mjetit juridik”, keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “ushtrim ndikimi” dhe “falsifikim i dokumentit zyrtar””.

Inspektorit nëpërmjet një komunikate për media ka treguar edhe se hetimi është zgjeruar duke përfshirë si të dyshuar edhe disa zyrtarë tjerë policorë dhe ka përfshirë edhe masat e fshehta të hetimit në koordinim me Prokurorinë Themelore të Prishtinës me urdhëresë të Gjyqtarit të Procedurës Paraprake dhe me përkrahjen edhe nga Policia e Kosovës

Hetuesit e IPK-së pritet të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore lidhur me këtë rast në konsultim të vazhdueshëm me prokurorin përgjegjës në përputhje me autorizimet ligjore të IPK-së dhe Kodit të Procedurës Penale.

Prokuroria Themelore e Prishtinës ka njoftuar se të arrestuarit janë; D.M, M.G, V.F, V.B, V.SH, R.S, B.J dhe M.K./KosovaPress