Intelektualët serbë thirrje Vuçiç-it: Pranoje propozimin franko-gjerman dhe realitetin e Kosovës së pavarur

- in Lajme

Ish-diplomatë, gazetarë dhe historianë, përmes një letre publike, u kanë bërë apel përfaqësuesve të Qeverisë së Serbisë, institucioneve politike dhe qytetarëve serbë që të pranojnë propozimin e Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën si një mundësi për Serbinë që të “orientohet përfundimisht drejt integrimeve euroatlantike për herë të parë”.

“Diskutimet e pafundme nëse Kosova është pjesë integrale e Serbisë dhe politika e papërgjegjshme e Beogradit, e cila ekziston që nga vitet nëntëdhjetë të shekullit të kaluar, janë tejkaluar nga realiteti. Nuk ka pasur një distancim të qartë nga ajo politikë sepse ende priten zhvillime që do të mundësonin aspiratat serbe në rajon”, thuhet në letër.

Ata kanë theksuar se “kthimi i Kosovës në kornizën shtetërore të Serbisë është jo vetëm një iluzion, por është edhe i pamundur pa një luftë të re që do ta kthente sërish Serbinë prapa” teksa shtohet se “Serbia më në fund duhet të përballet dhe të pranojë pasojat e politikës së saj, sepse pa të nuk kanë perspektivë as serbët e as shqiptarët në Kosovë”.

Ata vlerësuan se propozimi franko-gjerman i pranuar nga të gjitha shtetet anëtare të BE-së dhe i mbështetur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ofron një bazë të mirë për një hap të civilizuar drejt një “marrëveshje finale” mes palëve dhe se është në interesin e Serbisë që ta pranojë Kosovën dhe shqiptarët si partnerë të barabartë.

“Propozimi qëndron në premisat që inicojnë procesin dhe hapin perspektivën si për Serbinë ashtu edhe për Kosovën. Kjo do të relaksonte marrëdhëniet, do të zgjidhte çështjen e sigurisë së serbëve në Kosovë dhe do të mbronte pasurinë e tyre, si dhe trashëgiminë e tyre kulturore dhe fetare”, thuhet tutje.

Në letrën e nënshkruar nga ish-ambasadori serb në Gjermani, Ivo Viskoviç, Sonja Biserko nga Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut, avokati serb Çedomir Stojkoviç, shkrimtari serb Svetislav Basara, historiani serb Milivoje Beshlin dhe gazetari serb Rade Radovanoviç, thuhet se propozimi është një mundësi që zyrtarët serbë nuk duhet ta humbasin.

“Nuk ka garanci se do të ketë oferta më të mira. Rrethanat historike kërkojnë përgjegjësinë e të gjitha elitave – politike, akademike, mediatike dhe fetare – për të mbështetur propozimin që përfundimisht do të përcaktojë shtetin e Serbisë si një shtet modern evropian”, thuhet në letër, transmeton mediumi opozitar serb Nova.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com