Ideja për ndërtimin e një burgu në Kosovë nga Belgjika, deputeti belg: Do të dërgoheshin të gjithë ilegalët, përpos kosovarëve

- in Lajme

Në Belgjikë, ditëve të fundit po diskutohet ndërtimi i një burgu në Kosovë, i cili do të shërbente për drejtësinë belge për t’i dërguar të gjithë të huajt me qëndrim ilegal në Belgjikë.

Deputeti i partisë belge N-VA, Theo Francken, i cili ka qenë edhe Sekretar i Shtetit për Azil dhe Migrim, duke folur në televizionin RTL të enjten, tha se krijimi i një burgu në Kosovë është i mundshëm, transmeton Klankosova.tv.

Ai thotë se më shumë njerëz duhet të futen në burg, por thekson se burgjet aktuale të Belgjikës janë të mbushur.

“Është e mundur. Socialistët në Danimarkë po e bëjnë, kanë një marrëveshje me Kosovën dhe do të zbatohet në muajt e ardhshëm. Për mua është e qartë që duhet ta kopjojmë këtë marrëveshje sepse kemi rreth 3000 ilegalë në burgjet tona, persona që nuk kanë leje qëndrimi në Belgjikë”, deklaroi deputeti Francken.

Megjithatë, ai thotë se në këtë burg nuk do të mund të dërgoheshin kosovarë që kapen pa leje qëndrimi në Belgjikë. “Të gjithë ata që nuk kanë letra do të dërgoheshin në Kosovë, por nëse nuk janë kosovarë. Në Danimarkë nuk ka asnjë problem me të drejtat e njeriut. Nëse mund ta bëjnë socialistët danezë, mund ta bëjmë edhe ne, sepse jemi të dy shtete evropiane”, tha Francken.

Konkretisht, Belgjika do të ndërtonte një burg në Kosovë dhe do të ishte përgjegjëse për mbikëqyrjen. “Ne e kemi bërë më parë, kemi mbikëqyrur një burg në Holandë. Kështu që është e mundur të bëhet edhe në Kosovë, ose Shqipëri, ose Gjeorgji ose vende të tjera. Duhet të negociojmë me këto vende. Kam folur me Kryeministrin dhe është e mundur”, potencoi deputeti i partisë belge N-VA, Theo Francken./Demokracia