Shumica e kryetarëve të komunave të Kosovës e kanë injoruar takimin me kryeministrin Albin Kurti, i zhvilluar më 21 shkurt, pasi morën pjesë vetëm dy kryetarë të komunave që udhëhiqen nga partitë opozitare.
Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci dhe ai i Komunës së Junikut, Ruzhdi Shehi, kanë qenë të vetmit që i janë përgjigjur pozitivisht ftesës së kryeministrit për takimin, ku kanë marrë pjesë edhe disa ministra.
Ky ‘bojkot’ nuk i ka pëlqyer kryetarit të komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, që vije nga Lëvizja Vetëvendosje, i cili për mospjesëmarrjen e kryetarëve të komunave që udhëhqien nga opozita, e ka fajësuar kryetarin e Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi.
“Nëse Sazan Ibrahim qëndron mbas kësaj për t’i ndaluar kryetarët për të shkuar në takim dhe nga ky deklarim po duket se ky i paska përgatitur dhe e paska bllokuar, nëse individ të caktuar qenkan të involvuar që për me mujt me pengu një takim të rregullt që është takimi i 6-të i Qeverisë”, ka thënë ai.
Por, akuzat e bëra nga Bulliqi, i quan të pavërteta Sazan Ibrahimi.
Ai për Reporteri.net se nuk qëndron ai para bojkotit që disa kryetarë të komunave i kanë bërë takimit me kryeministrin Kurti.
“Shumica e kryetarëve nuk kanë marrë pjesë dhe absolutisht është e pavërtetë se unë qëndroj pas këtij bojkoti. Unë nuk e kam atë fuqi mbi kryetarë që të ju them mos merrni pjesë në takim. Për mundësinë e organizimit të bojkotit më ka akuzuar kryetari Bulliqi. Ai këtë e ka mbështetur duke u thirrur një deklaratë timen se takimet e tilla me kryetarë duhet të organizohen më mirë dhe të ftohen më herët”, ka thënë Ibrahimi.
Ai thotë se asnjëherë nuk ka bërë thirrje për bojkot dhe se nuk e ka atë fuqi.
“Andaj akuza e Shpejtim Bulliqit është e pavërtetë dhe absurde”, ka thënë Ibrahimi./Demokracia