Dje Martin Berishaj, ambasador i Kosovës në Kroaci, u intervistua për disa orë nga Prokuroria Speciale e Kosovës nën dyshimin për “shpëlarje parash”, “shmangie nga tatimi” dhe “raportim të rremë të pasurisë”. Megjithatë, Berishaj që nga dita e parë e ka pasur përkrahjen e pushtetit, ndonëse për intervistimin e djeshëm ende nuk ka folur pushteti.
Vjosa Osmani, Albin Kurti e Donika Gërvalla kanë mbrojtur në disa raste ambasadorin Berishaj, i cili dyshohet për një aferë financiare në Slloveni. Presidentja Osmani kishte deklaruar menjëherë pas akuzave publike ndaj Berishajt, se i beson ambasadorit kosovar.
“Kurse sa i përket atyre që publikohen dua ta potencoj atë që e them vazhdimisht siç e ka thënë presidenti Biden rreziku më i madh në raport me demokracitë tona nuk janë vetëm tanket por edhe dezinformatat. Kështu që si presidente unë pres që për çdo çështje që publikohet të konfirmohen dhe ne i besojmë ambasadorit të Republikës së Kosovës kur mohon akuza të tilla dhe natyrisht ai do të drejtojë të gjitha këto çështje në organet e drejtësisë dhe të gjithë presim organet e drejtësisë para se të konstatojmë diçka siç u konstatua”, tha ajo.
Ndërsa kryeministri Kurti ishte shprehur se Berishaj ka deklaruar se akuzat janë të pavërteta.
“Zëdhënësi ynë i qeverisë e ka dhënë qëndrimin dhe po ashtu ambasadori Berishaj e ka bërë një deklaratë me të cilën tregon se ato janë të pavërteta dhe se do ta padisë mediumin i cili ka shpifur asisoj”, kishte thënë shkurt Kurti.
Në anën tjetër, ministrja Gërvalla kishte deklaruar se nuk e ka asnjë dyshim në pafajësinë e Berishajt. Ajo kishte thënë se nuk dyshon në deklaratën e Berishajt.
“Ne kemi pasur deklaratën e tij që në fillim dhe nuk kemi pasur asnjë arsye që të dyshojmë në deklaratën e ambasadorit Berishaj”, kishte theksuar ajo në një konferencë për media.
Tutje, ajo kishte deklaruar se këtë qëndrim nuk e kishte marrë apriori.
“Unë e kam lexuar dhe e kam ditur edhe më herët qëndrimin e Malit të Zi rreth ambasadorit Berishaj, sepse vendimin për të qëndruar në krah të ambasadorit Berishaj nuk e kemi marrë apriori, por, e kemi marrë duke u bazuar edhe në informacione të shteteve të ndryshme. Prandaj, gëzohem që hap pas hapi edhe opinioni që ka parë një fushatë të jashtëzakonshme denigruese ndaj ambasadorit do të ndërgjegjësohet që vetëm ka qenë e tillë”, kishte theksuar Gërvalla, shkruan Nacionale.
Madje, Gërvalla kishte hedhur dyshime edhe për raportimet.
“Pra, ka qenë një fushatë e bazuar në një medium slloven i cili në një fushatë zgjedhore pak ditë para zgjedhjeve ka lansuar një fushatë të tillë”, shprehej Gërvalla.
Çka tha dje Prokuroria Speciale pas intervistimit të Berishajt?
“Pas interesimit të mediave, Prokuroria Speciale njofton opinionin publik se ambasadori, i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, është intervistuar sot me ftesë të Prokurorisë Speciale, me dyshimet për veprat penale ‘’Shpëlarja e parave’’, ‘’Shmangia nga tatimi’’ dhe ‘’Mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare.” – thuhej në njoftim./Demokracia