Milot Cakaj është një nga miqtë më të ngushtë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Kjo dëshmohet edhe nga fotografitë e përbashkëta të kryeministrit me Cakajn gjatë kohës sa po udhëhiqnin protestat sutdentore më 1997-ën. Cakaj ia ka parë Kurtit hairin më shumë se një herë. Më 2020-ën, ai u zgjodh këshilltar politik i kryeministrit, ndërkaq së fundmi është bërë edhe zëvendësguvernator i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK). Më saktësisht, dosti i Kurtit do të mbikëqyrë financat.
Cakaj është caktuar zëvendësguvernator me një vendim të 24 janarit të këtij viti, bashkë me Nesrin Shileku- Shala.
Për Milot Cakajn pati kritika lidhur me afërsinë e tij që ka me kryeministrin, Albin Kurti. Ai para gati katër vitesh ishte emëruar këshilltar politik i tij, si dhe ishte mik i Kurtit përgjatë periudhës së studimeve.
Albin Kurti (në të majtë) dhe Milot Cakaj (në të djathtë)

BQK’ja iu është përgjigjur pozitivisht kërkesës, për çka ka përcjellë edhe CV’në e Milot Cakajt të cilën e ka dërguar në konkursin për plotësimin e pozitës së zëvendësguvernatorit për mbikëqyrje financiare, të hapur më 4 dhjetor të 2023-ës.
Në CV-në e Cakajt, të cilën e ka parë Gazeta Insajderi, dosti i Kurtit prezanton diplomën e tij të bachelorit. Nga të dhënat që shoku i studimeve të kryeministrit ua ka prezantuar BQK’së, thuhet se ai ka diplomuar në Inxhinieri Softuerike dhe Inxhinieria e Sistemeve në UBT. Periudha e studimeve përfshin 2008-2012.
Duke u bazuar në të dhënat personale që Zyra e Kryeministrit ka prezantuar për Cakajn, rezulton se ai ka diplomuar në moshën 37-vjeçare.
Në përvojat e tij të punës, ai e prezanton veten si specialist të lartë të menaxhimit të projekteve dhe analist të lartë të të dhënave dhe menaaxher i portofolios në Raiffeisen Bank në periudha të ndryshme kohore.
Tek pjesa e përvojës së punës, Cakaj përfshin edhe angazhimin e tij si këshilltar i kryeministrit Kurti përgjatë periudhës mars-qershor 2020, gjegjësisht gjatë kohës Qeveria Kurti I.

Në njohuritë e tij gjuhësore, Cakaj prezanton nivel akademik në të shkruar gjuhën shqipe dhe atë angleze.
I njëjti ka mohuar se ka pasur më herët vepër penale dhe se s’ka familjar që i punon në BQK.

“Paraprakisht ka qenë mbi 7 vjet në Korporatën Energjetike të Kosovës. Ai ka të përfunduar kolegjin UBT, si inxhinier i shkencave kompjuterike, ku disa vite ka qenë i angazhuar si asistent”, thuhet në përshkrimin që ia bën Zyra e Kryeministrit Cakajt në njoftimin e emërimit të tij.
Ecuria e konkursit për emërimin e Cakajt zëvendësguvernator
Banka Qëndrore e Kosovës në një përgjigje për Gazetën Insajderi ka njoftuar se për pozitën që e ka marrë Cakaj kanë aplikuar 15 kandidatë, prej të cilëve tetë janë përzgjedhur për intervistim.
“Pas vlerësimit të performancës së intervistës dhe bazuar në plotësimin e kushteve të konkursit, sipas poentimit ka rezultuar se tre (3) kandidatë kanë qenë të emërueshëm. Të emërueshëm janë konsideruar kandidatët të cilët i kanë plotësuar kërkesat i përshtatshëm dhe i duhur, si dhe të cilët i kanë kaluar shtatëdhjetë (70) përqind të pikëve nga intervista, përqindje e caktuar si prag paraprakisht”, thuhet tutje në përgjigjen që BQK’ja ia ka dërguar Insajderit.
Nga renditja e tre kandidatëve të emërueshëm, Cakaj radhitet i pari me 75 pikë. Rrjedhimisht, me gjysmë pike më shumë sesa vendi i dytë dhe vetëm një pikë më shumë sesa vendi i tretë.

Insajderi ka kërkuar në përputhshmëri me Ligjin për Qasje në Dokumente Publike nga BQK’ja edhe kualifikimet e kandidatëve të tjerë që kanë aplikuar për të njëjtën pozitë, mirëpo në përgjigjen e tyre thuhet se s’mund të ofrohen për hir të ruajtjes së privatësisë së tyre.
Miqësia e Cakajt me Kurtin
Albin Kurti gjatë kohës sa ishte student, bashkë me Milot Cakajn, Bujar Dugollin, Muhamet Mavrajn, Driton Lajçin e të tjerë udhëhiqnin protestat studentore të 1 tetorit të 1997-ës.
Cakaj bashkë me Kurtin po ashtu ishin edhe pjesë e kabinetit të përfaqësuesit politik, Adem Demaçi pranë Zyrës Politike të UÇK-së.
“Vendosëm lule të freskëta dhe bëmë nderime te varri i Adem Demaçit këtu në Prishtinë, bashkë me kryetarin e Kuvendit të Republikës, Glauk Konjufcën, me zëvendësin e bacës Adem si përfaqësues i përgjithshëm politik i UÇK-së në Prishtinë e vitit 1998-1999, ish të burgosurin politik Skënder Kastrati dhe kolegun tim nga zyra e UÇK-së, Milot Cakajn në përkujtim të një figure aq të jashtëzakonshme saqë unike të kombit shqiptar”, thuhej në postimin e Kurtit/Demorkracia