Hoxhaj takon mësimdhënësit e Kosovës: Pos rritjes së pagave, do ta digjitalizojmë procesin mësimor

- in Lajme

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, njëherësh kandidati për kryeministër, Enver Hoxhaj së bashku me anëtarin e kryesisë, Muzafer Shala kanë takuar sot qindra mësimdhënës të vendit, para të cilëve ka prezantuar Planin e PDK-së për Rimëkëmbjen e arsimit.

Hoxhaj tha se arsimin e kanë prioritet dhe se gjatë qeverisjes së tij vëmendje të veçantë do t’i kushtojnë krijimit të kushteve më të mira për nxënësit e mësimdhënësit.

Ai u zotua se me të marrë mandatin do të bëjë rritje të pagave për mësimdhënësit e të gjitha kategorive.

Hoxhaj: Do të ketë rritje të pagave për mësimdhënësit

Video

“Nuk mund të ketë cilësi në arsim pa rritje të pagës së tyre dhe ne kemi vendosur një zotim i jonë që t’i rrisim pagat në arsimin fillor në 700 euro, në arsimin e mesëm në 800 euro dhe për të gjithë profesorët e universitetit në 1 mijë e 800. Dikush mund të pyet a është e mundshme kjo ju e dini që kemi bërë për të gjithë sektorët e tjerë dhe do ta bëjmë edhe kësaj here, meqë nuk mund të ketë mësimdhënie cilësore, nuk mund të ketë përkushtim të profesorëve, të mësimdhënësve në vitin 2021 me pagat që i keni”, tha ai.

Hoxhaj u shpreh se gjatë mandatit të tij qeverisë do të ndërtojnë 60 çerdhe në të gjithë vendin, derisa tha se çerdhe do të ketë në çdo fshat të vendit.

Hoxhaj: Do të ndërtojmë 60 çerdhe të reja në të gjitha qytetet e Kosovës

Video

“Jemi shumë të interesuar që të ketë sa më shumë gjithëpërfshirje të të rinjve në edukimin parashkollor, parafillor, po duam ta rrisim numrin e çerdheve…Ne do të ndërtojmë gjatë mandatit tonë qeverisës 60 çerdhe të reja në të gjitha qytetet e Kosovës. Ndërsa në çdo fshat ku ka shkollë do të ketë po ashtu çerdhe”, tha ai. Para mësimdhënësve Hoxhaj prezantojë planin që e kanë për mësimin në kohë pandemie, derisa tha se qysh në 100 ditshin e parë do të punojnë për ta normalizuar mësimin në të gjithë vendin.

Hoxhaj: Qeveria Hoti e Kurti dështuan në menaxhimin e pandemisë

Video

“Ju e dini që nxënësit kanë humbur shumë mësim, e dini që të dy qeveritë Hoti edhe Kurti dështuan me menaxhimin e pandemisë, unë nuk dua që t’i akuzoj para jush ata për ardhjen e virusit, po dua që t’iu hedhim fajin dhe e kanë fajin e përgjegjësinë për mos menaxhimin e përhapjes së tij. Ne do të jemi pranë mësimdhënësve që edhe ta ruajmë shëndetin e tyre, edhe ta ruajmë shëndetin e nxënësve se do të ofrojmë mbështetje direkte financiare, por edhe ta zbatojmë këtë konceptin e mësimit hibrid gjysma në shkolla gjysma online”, tha ai.

Kryetari i Drenasit Ramiz Lladrovci, u shpreh se kjo komunë është unike pavarësisht zërave, siç tha ai, të krimbave e pleshtave dhe do të jetë e tillë deri në fitoren e PDK-së.

Lladrovci: Drenasi mbetet unik pavarësisht disa zërave të krimbave dhe pleshtave

Video

“Drenasi qëndron unik pavarësisht disa zërave të krimbave dhe pleshtave dhe do të jetë unik deri në fitoren e madhe të PDK-së. Do të jemi unik se kështu na mësuan liderët tanë, themeluesit e UCK-së, themeluesit e shtetit dhe të Ushtrisë së Kosovës, presidenti Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli. Prandaj, ne ju garantojmë se PDK në Drenas e në Drenicë do të vazhdojë të jetë e para dhe të jetë unike”, tha ai.

Programin e rimëkëmbjes për arsimin e ka prezantuar Muzafer Shala, ku tha se programi i tyre ka për mision krijimin e kushteve për një mësim të qëndrueshëm ekonomik me ngritjen e cilësisë përmes mekanizmave konkret si dhe krijimin e kushteve të përshtatshme për punë./KosovaPress