Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj ka përkujtuar 22 vjetorin e masakrës së Izbicës në Drenicë, ku u vranë 147 persona.
Ai me bashkëpunëtorë sot ka bërë homazhe në kompleksin memorial në Izbicë.
Hoxhaj ka thënë se Kosova asnjëherë nuk do të pushoj së kërkuari drejtësi, derisa edhe i fundit prej përgjegjësve të krimeve të kryera nga serbët të japë llogari për veprimet e tyre.
Hoxhaj: Serbia mbanë përgjegjësi politike, kriminale dhe morale
“Edhe pas shumë dekadash, kjo masakër që është prej më të mëdhave në Kosovë, por edhe shumë masakra që kanë ndodhë në shumë vende tjera të Kosovës, tregojnë që Serbia edhe më tutje mbanë një përgjegjësi të madhe politike, një përgjegjësi të madhe kriminale dhe një përgjegjësi të madhe morale në raport me gjenocidin të cilin e ka ushtruar në Kosovë. Ne sot ishim këtu që të nderojmë të gjithë të rënët në këtë masakër, pa praninë e kryetarit të partisë, pa pranin e presidentit, të cilët në mënyrë të padrejtë po qëndrojnë në gjykatë dhe të cilët jemi shumë të sigurtë që do të kthehen fitimtar dhe do të dalin faqebardhë“, tha ai.
Kurse, nënkryetari i PDK-së, Sami Lushtaku krime ka bërë Serbia dhe jo pjesëtarët e UÇK-së.
Lushtaku: Përfaqësuesit e Speciales le të vinë e të shikojnë në Izbicë
“Unë e kujtojë ditën e masakrës si një ditë e rënd për secilin shqiptarë, sidomos për pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës…unë mendoj që Gjykata Speciale është mirë që të vije nga një herë në Izbicë dhe t’i sheh këto varre, një pjesë e tyre janë varreza të improvizuara dhe ndërgjegjja e bashkësisë ndërkombëtare duhet të jetë krejtësisht ndryshe sepse gjenocid dhe krime ka bërë Serbia në këtë vend dhe jo UÇK-ja”, tha ai.
Më 28 mars, në Izbicë u vranë e masakruan 147 persona, mes tyre burra, gra e pleq dhe u deportuan në Shqipëri mijëra të tjerë. /KP