Hoxhaj në Podujevë: Kapitulli i ri për Kosovën do të fillojë më 14 shkurt me Planin për Rimëkëmbje

- in Lajme

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, njëherësh kandidati për kryeministër, Enver Hoxhaj ka mbajtur tubim elektoral në Podujevë, ku ka prezantuar Planin e Rimëkëmbjes.

Hoxhaj tha se gjatë këtyre ditëve të fushatës zgjedhore gjithandej Kosovës është vërejtur entuziazmi i qytetarëve për fitoren e PDK-së.

Hoxhaj: Sa më e fortë të jetë PDK-ja, aq më e fortë do të jetë Kosova

(Video)

“Këto zgjedhje janë të rëndësishme se sa më e fortë të jetë PDK në nivel vendi do të jetë dhe ne do të jemi subjekti më i fortë politik, subjekti më i madh politik aq më e fortë do të jetë Kosova, po aq më të fortë do të jenë edhe shokët tanë pranë Gjykatës. Prandaj, natyrisht që platforma jonë është rimëkëmbje, por ne përmes rimëkëmbjes synojmë nën një t’i forcojmë shokët tanë të cilët në mënyrë të padrejtë ballafaqohen në një Gjykatë ndërkombëtare, të cilët do të kthehen fitimtarë, të cilët edhe një herë do ta dëshmojnë karakterin e luftës tonë të drejtë për liri”, tha ai.

Hoxhaj tha se përkundër goditjes që kanë marrë nga Gjykata Speciale kanë dalë me program për ta rimëkëmbur vendin.

Hoxhaj: Po bëjmë përpjekje me e rishkruar një kapitull të ri të historisë

(Video)

“Kemi treguar unitet, solidaritet. Kur secili ka menduar që PDK do të dorëzohet, ne po bëjmë përpjekje me e rishkruar një kapitull të ri të historisë dhe ai kapitull i ri i historisë nis me 14 shkurt. Këtë të diel duke fituar zgjedhjet në nivel vendi prej Podujevës e deri në Prizren, prej Pejës e deri në Gjilan. Prandaj, kjo tregon për fuqinë tonë se të tjerët kanë menduar që kur goditet PDK ne dorëzohemi, na humb fija, se dimë se çka duam të bëjmë, se dimë se ku e kemi komën. Përkundrazi në këtë kohë ne kemi dal me program të qartë qeverisës imagjinojeni. Një parti e cila e ka një goditje të tillë del me program qeverisës, e ka programin më të mirë qeverisës”, tha ai.

Kryetari i PDK-së tha se e kanë programin më të mirë për ekonomi, shëndetësi, arsim, drejtësi e politikë të jashtme. Se ky program do të zbatohet, Hoxhaj u zotua edhe në Podujevë.

Hoxhaj: E kemi hartën qartë çka do të bëjmë në Podujevë

(Video)

“E dimë se çka duhet të bëjmë që të krijojmë vende të punës dhe me e tejkalua situatën e papunësisë, që të rinjtë dhe të rejat të mos e lëshojnë Kosovën, që ta rris mirëqenien në Kosovë, që me e rrit ekonominë në Kosovë, që njerëzit me jetua më mirë. E dimë çfarë duhet të bëjmë në sektorin e shëndetësisë për shkak të përhapjes së virusit dhe versioneve të reja të virusit i cili po përhapet. E kemi hartën qartë çka do të bëjmë në Podujevë e çka do të bëjmë në Prishtinë e çka në Prizren, duke pasur 30 qendra të vaksinimit. Unë duke u ballafaquar me fushatë zgjedhore këto ditë kam folur me shtete të caktuara evropiane edhe me shtete në lindje të mesme që janë të forta dhe të fuqishme edhe në pjesë të tjera të botës me e siguru vaksinën. Qeveria jonë ka dështuar për ta sjell një numër për me iu dhënë qytetarëve të Kosovë”, tha ai.

Kandidatja për deputete nga PDK, Floretë Zejnullahu, teksa ka ftuar bashkëqytetarët e saj që të votojnë për PDK-në, tha se janë e vetmja parti politike që kanë program për zgjidhjen e problemeve që ka vendi.

Zejnullahu: PDK është partia e vetme që e ka programin konkret

(Video)

“Ne jemi të vetëdijshëm për sfidat që na presin, po ashtu edhe për sfidat që i ka vendi ynë, sikurse që kemi besimin e plotë që adresa më e mirë për zgjidhjen tyre është PDK. PDK është partia e vetme që e ka programin konkret dhe që e ka orientimin e drejtë perëndimor”, tha ajo.

Hoxhaj sot ka takuar edhe qytetarët e Komunës së Vushtrrisë para të cilëve ka prezantuar Planin e Rimëkëmbjes./KosovaPress