Hoxha e akuzon Escobarin se i sheh kosovarët si miza: Dëshiron ta fshijë historinë amerikane

- in Lajme

Elvis Hoxha, anëtar i Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, ka dhënë një intervistë në “Euroneës Albania”, ku ka folur për shumë tema, përfshirë marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë. Hoxha foli gjerë e gjatë për Serbinë, duke e quajtur “të errët”, teksa e kritikoi mungesën e “katarsisit” të Serbisë pas luftërave që i shkaktoi në vitet 90-ta. Por çfarë tha tjetër Hoxha?

Përtej kritikës ndaj Serbisë, Hoxha kishte kritika edhe ndaj Perëndimit. Ai konkludoi se Perëndimi nuk është shumë në dritë.

“Perëndimi nuk është shumë në dritë, përveç disa vendeve. Shtetet më të përgjegjshme, Britania dhe Gjermania, e dinë historinë shumë mirë, duke qenë të tillë, ata janë të kthjellët, janë subjekt të kthjellët.” – deklaroi ai.

Një pjesë të intervistës, që zgjati gati 36 minuta, Hoxha ia kushtoi Gabriel Escobarit, emisarit special të ShBA-së për Ballkanin Perëndimor dhe dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. Në fakt, Hoxha e keqcitoi një deklaratë të Escobarit.

“Gjepolitika është një llloj autokracie në mondializim. Gradualisht po shkojmë drejt emrave që drejtojnë, por të cilët, në fakt, nuk kanë nevojë të njihen dhe të konfirmohen publikisht. Po ua marr një shembull. Escobari tha në një moment të caktuar “interesi i 700 milionë evropianëve, nuk na intereson shumë 1 milionë e gjysmë të Kosovës. Nuk na interesonte ne të dimë 1 milionë e gjysmë apo jo të Kosovës, sepse fakti që janë 1 milion e 900 mijë p.sh., 400 mijë për një byrokrat i cili interesohet për 700 milionë, 400 mijë nuk janë gjë.” – deklaroi ai.

Escobari kishte deklaruar se Kosova duhet të përcaktojë veten nga vlerat e saj dhe nga marrëdhëniet me 700 milionë banorë të komunitetit euro-atlantik. Pra Hoxha e keqcitoi Escobarin.

“Për mua, Kosova duhet ta përcaktoj veten jo nga Serbia por nga vlerat e saj, nga marrëdhëniet e saj jo me 6 milionë banorë të Serbisë por 700 milionë banorë të komunitetit euro-atlantik. Dhe ende sa herë flasim me këtë kryeministër dhe zëvendësin e tij, e tëra për çfarë duan të flasin është Serbia”, – kishte deklaruar Escobar për Zërin e Amerikës.

Tutje, Hoxha e vuri në pikëpyetje nëse Escobari është më të vërtetë përfaqësues i komunitetit euro-atlantik.

“Çfarë po na thotë ky njeri? Ky njeri po na flet me autoritetin e dikujt që e kanë zgjedhur 700 milionë evropianë dhe autoritetin e dikujt i cili mund të shoh 1 milion e 900 mijë veta si miza. Pra shikoni si prodhohet në dijen tonë publike sot, se kjo është dija publike, një tip paradigm ekzekutive që vendos disa persona në formën e përfaqësuesit kur nuk janë të tillë” – shtoi ai.

Madje, për ta përforcuar idenë e tij, Hoxha i hyri akrabacioneve abstrakte, duke e imagjinuar rezultatin e një ankete në lidhje me njohjen e evropianeve të thjeshtë mbi figurën e Escobarit.

“Po të bëjmë ne sot një sondazh në Perëndim, te këta 700 milionët për Escobarin, me garanci të plotë mund t’iu them që ndoshta e njohin 0.0001 për qind që punojnë nëpër administratat për marrëdhënie me jashtë. Evropianët as nuk ia kanë idenë cili është Escobari që po interesohet për fatin e evropianëve dhe po i vë në peshore me fatin e shqiptarëve të Kosovës” – shtoi ai.

E për t’u bërë edhe më qesharak (ose banalitet, siç pandehim se Hoxha do të parapëlqente të përdorte termin) në argumentim, Hoxha e akuzoi Escobarin se po dëshiron të fshijë historinë amerikane.

“Nga ana tjetër, çfarë fshinë Escobari me këtë frazë? Gjithë historinë amerikane të drejtësisë, të revolucionit, të luftës civile, të çlirimit nga Anglia, sepse me një frazë se ai kujton se po heshtë një popull të vogël, popullin e Kosovës, por që të heshtë popullin e Kosovës duhet të heshtë temat. Temat e popullit të Kosovës, sado i vogël qoftë, janë temat universale: liri, sovranitet, vetëvendosje, ndërtimi i demokracisë, zgjedhje korrekte.” – deklaroi tutje ai./Demokracia