Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë duke kërkuar që vendimi i Bankës Qendrore të Kosovës që ndalon dinarin në Kosovë të shtyhet dhe të krijohet hapësirë kohore për gjetjen e një zgjidhjeje.
Ambasadori amerikan, Jeff Hovenier, në një intervistë për “Radio KiM”, ka thënë se qëndrimet lidhur me këtë rregullore për paratë e gatshme janë folur publikisht dhe se kërkesa e SHBA-së është që Kosova ta shtyjë zbatimin e Rregullores, derisa të vendosen procedura të kënaqshme dhe në përputhje me standardet evropiane.
Në këtë intervistë Hovenier ka thënë se gjatë javës së kaluar kanë pasur biseda të shumta me Qeverinë e Kosovës në të gjitha nivelet. Ai ka zbuluar se Kurti për çështjen e dinarit është telefonuar edhe nga Ndihmës Sekretari për Evropës dhe Euroazi, gjë për të cilën s’ka pasur ndonjë njoftim nga Kryeministria e as nga vetë kryeministri Albin Kurti. Njoftim lidhur me këtë s’ka bërë as vetë O’Brien.
“Javën e kaluar, unë kam folur publikisht shumë herë në lidhje me Rregulloren e ndryshuar të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) për operacionet me para të gatshme. Kemi pasur edhe biseda të shumta me Qeverinë e Kosovës në të gjitha nivelet – duke përfshirë telefonatat mes Ndihmës Sekretarit për Evropë dhe Euroazi, Jim O’Brien dhe kryeministrit Kurti.Kërkesa jonë mbetet që Kosova të shtyjë zbatimin e Rregulloreve të BQK-së derisa të vendosen procedura të kënaqshme në përputhje me standardet evropiane dhe derisa të ketë një mënyrë të qartë që njerëzit të marrin beneficionet dhe pagesat e tyre, dhe derisa popullata të jetë e informuar mjaftueshëm për mënyrën e shpërndarjes. përfitimet e tyre do të vazhdojnë”, ka thënë Hovenier për Radio “KiM”, raporton Gazeta Express.
Diplomati amerikan ka thënë se SHBA e respekton të drejtën e BQK-së për rregullimin e sektorit financiar, megjithatë shton se çështja në fjalë është tepër e ndjeshme dhe me ndikim të drejtpërdrejtë se si qytetarët e Kosovës masrrin përkrahje financiare nga Serbia.
“Prandaj, ne duam të shohim Qeverinë dhe Bankën Qendrore të ushtrojnë ndjeshmëri dhe kujdes të madh në mënyrën se si e bëjnë këtë, duke marrë parasysh ndikimin që ky ndryshim do të ketë tek disa nga qytetarët më të cenueshëm të Kosovës”, ka thënë Hovenier./Demokracia