Presidentja Vjosa Osmani dhe Mary Elieen Devitt në emër të USAID-it sot kanë nënshkruar marrëveshjen e grantit për objektivat zhvillimore në vlerë prej 34.5 milionë dollarësh.
Pas kësaj marrëveshje, presidentja dhe ambasadori amerikan, Jeff Hovenier, mbajtën një konferencë për media për të treguar përfitimet që kanë qytetarët nga këto fonde.
Duke thënë se populli amerikan është krenar që mund të ofrojë këtë mbështetje, Hovenier këtu përmendi sërish marrëdhëniet e SHBA-së me Qeverinë Kurti, raporton Gazeta Express.
“Është e rëndësishme që ta sqaroj një çështje që disa na kanë thënë se është konfuze. Shumë prej jush keni parë raportime në media për disa dallime ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe anëtarëve të tjerë të bashkësisë ndërkombëtare me disa veprime dhe zgjedhje politike të Qeverisë së Kosovës të drejtuar nga Albin Kurti. Siç kam thënë në një intervistë javën e kaluar, ne po përballemi me disa sfida të caktuara me Qeverinë e tanishme të Kosovës dhe këto sfida kanë ndikuar absolutisht në cilësinë e partneritetit tonë”.
Hovenier citoi edhe zëdhënësin e Departamentit të Shtetit, Mathew Miller.
“Ashtu siç tha zëdhënësi këtë muaj: Qeveria amerikane shpreson që Qeveria e Kosovës do t’i kthehet angazhimit të ngushtë dhe konstruktiv me SHBA-në, BE-në, NATO-n dhe partnerët e tjerë të ngushtë ndërkombëtarë të Kosovës”.
Ambasadori amerikan e theksoi se përkushtimi i vendit të tij ndaj popullit të Kosovës nuk nënkupton me doemos edhe ndaj Qeverisë.
“Por edhe disa fusha të bashkëpunimit me qeverinë e tanishme të Kosovës mbesin më pak pozitive se që do të kishim shpresuar, përkushtimi i SHBA-së ndaj popullit të Kosovës mbetet po aq i fortë dhe i hekurt si gjithmonë. Ngjarja e sotme dhe përmbyllja e një marrëveshje për të ofruar gati 34.5 milionë dollarë në fonde shtesë për zhvillim për popullin e Kosovës për të mbështetur rritjen e ekonomisë, qeverisjen e mirë dhe integrimin në BE, unë besoj se kjo qartë nëvizon këtë qëllim. Megjithatë, më duhet ta pranoj se ky përkushtim ndaj popullit të Kosovës nuk vlen domosdoshmërish për ndonjë qeveri të caktuar apo për veprimet dhe zgjedhjet politike të caktuara të ndonjë qeverie”.
Hovenier tha se duke e përmirësuar prosperitetin për të gjithë kosovarët, këto fonde të reja do të orientohen kah veprimtaritë dhe programet që do të përforcojnë edhe më shumë ekonominë e Kosovës, mbështesin qeverisjen e mirë dhe shërbimet qeveritare më efektive për të gjithë qytetarët e Kosovës./Demokracia