Hoti: Qeveria po fshihet pas dogmave të ndryshme populiste për Asociacionin

- in Lajme

Gjashtë kushtet e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, në raport me Asociacionin e Komunave me Shumice Serbe, sipas deputetit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, në këtë fazë nuk kanë asnjë rëndësi.

“Mendoj që janë jo relevante për diskutimin që po bëhet”, ka thënë Hoti në një intervistë për Zërin e Amerikës.

Ish-kryeministri i Kosovës, Hoti, ndër të tjera ka theksuar se Asociacioni është obligim i shtetit të Kosovës i cili buron nga marrëveshja e vitit 2013 e ratifikuar në Kuvend e Kosovës.

Paçka i njëjti beson se bartësit e institucioneve në vend po fshihen pas dogmave të ndryshme populiste të Asociacionit në vend që të marrin përgjegjësi për të çuar përpara procesin e dialogut.

“Është marrëveshja e parimeve pastaj e vitit 2015 e cila e ka vendosur një siguresë ku thuhet që Statuti i Asociacionit e merr pëlqimin e Gjykatës Kushtetuese përpara se të dekretohet nga ana e qeverisë dhe janë deklarimet e vazhdueshme të partnerëve tanë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në veçanti, lidhur me Asociacionin që do të thotë se nuk do të jetë strukturë jashtë Kushtetutës së Kosovës”, ka shpjeguar më tej ai

Gjithë në këtë mes, sipas Hotit, është i nevojshëm bashkimi i spektrit politik në atë mënyrë që të krijohet një kohezion i nevojshëm për të lëvizur përpara.

“E vërteta gjithashtu është që Kosova në historinë e saj asnjëherë nuk ka qenë në një pozitë më të disfavorshme sa i përket procesit të dialogut dhe marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”./Albanianpost