Kryeshefi ekzekutiv i Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK) Kushtrim Hodaj priti sot në takim shefin e EULEX-it Lars-Gunnar Wigemark, të cilin e informoi për punën dhe angazhimet e Inspektoratit Policor bazuar në mandatin dhe fushëveprimin ligjor të saj.
Hodaj e njoftoi shefin e EULEX-it për natyrën e punës së IPK-së duke dhënë shpjegime për natyrën e ankesave që IPK trajton dhe rëndësinë e tyre në rritjen e besueshmërisë së qytetarëve në Policinë e Kosovës, rëndësinë e fuqizimit të integritetit policor etj.
Kryeshefi ekzekutiv i IPK-së dhe shefi i EULEX-it u pajtuan që ta vazhdojnë bashkëpunimin duke u bazuar në mandatin aktual të EULEX-it.
Në takim u diskutua edhe rreth bashkëpunimit dhe koordinimit në mes të IPK-së dhe sistemit prokurorial të Kosovës, si dhe rreth asaj se si të ruhet integriteti i dëshmitarëve dhe sinjalizuesve, thuhet në njoftimin e IPK-së./KosovaPress