Hill: SHBA-të këmbëngulin në formimin e Asociacionit

- in Lajme

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sipas ambasadorit amerikan në Serbi, Christopher Hill, janë të përkushtuar për zbatimin e plotë të asaj që është rënë dakord në Marrëveshjen e Brukselit, duke përfshirë këtu edhe formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Sipas diplomatit veteran, propozimi franko-gjerman, i cili ka dinamizuar së fundmi dialogun Kosovë-Serbi, nuk është në kundërshtim me Marrëveshjen e Brukselit ku parashihet edhe formimi i Asociacionit.

“Ne me të vërtet këmbëngulim që ajo që është rënë dakord duhet të zbatohet. Marrëveshja e Brukselit dhe propozimi franko-gjerman janë të lidhur. Koncepti që marrëveshjet e mëparshme duhet të zbatohen është pjesë e marrëveshjes franko-gjermane”, ka thënë Hill.

Në këtë kontekst, Hill beson se Asociacioni mund të formohet deri në verën e këtij viti ndërsa propozimin franko-gjerman mund të zbatohet deri në fund të vitit.

“Ne po flasim për një zgjidhje për Serbinë, Ballkanin dhe Evropën. SHBA ka interesa afatgjata në kontinent dhe në këtë rajon”, tha Hill.

Për Hill është më se e qartë se ajo që i shqetëson njerëzit në Serbi është se kush do të garantojë marrëveshjet e nënshkruara duke marrë parasysh Marrëveshjen e Brukselit, e cila u nënshkruar në vitin 2021, por nuk është zbatuar edhe pse ka kaluar një kohë e gjatë.

Ndryshe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, një javë më parë kishte prezantuar në Parlamentin e Kosovës 6 kushte në mënyrë që ai të fillojë themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe./Albanianpost