Ministri i Transfereve dhe Financave, Hekuran Murati, në seancën e djeshme parlamentare të Kuvendit të Kosovës, ka bërë një sërë gafash irrituese, në emër të 100 eurove të lëmoshës lëshuar sektorit privat, shkruan “Kosovarja”.
Por, shtrohet pyetja: Çka mund të blesh sot me 100 euro?
Një shportë të vogël zarzavatesh për dy mëngjese familjare dhe hiq më shumë!
Andaj, Hekuran Murati duhet ta ndërrojë dioptrinë e pamjes. Meqë ka nisur të dalë nëpër markete, është mirë t’i vizitojë edhe barnatoret…
Të bisedojë edhe me pensionistët për gjendjen e rëndë ekonomike, por edhe me të tjerët që jetojnë në skamje e varfëri.
E, ai krekoset me 100 euro lëmoshë, dhënë një shtrese qytetare. Plus, në këtë shtresë nuk përfshihet pjesa më e madhe e popullatës, e cila është pa asnjë të punësuar, e kjo është shumica sociale.
Andaj, pushteti nuk është i përjetshëm dhe pak fytyrë duhet me lënë edhe për jetën pas pushtetit. Mbase, kjo vlen për të gjithë qeveritarët pa dallim.
Sidoqoftë, ministri Hekuran Murati ka filluar të bëhet edhe parashikues dhe paskësh thënë se e ka paraparë që politikanët matrapazë do ta kërkojnë trustin!
Me demek, kjo iu adresua “Kamishit”, i cili, me disa deputetë të tjerë, po ngulin këmbë në realizimin e tërheqjes së mjeteve të trustit deri në 30%.