Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka pranuar që do ta themelojë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, me pranimin e Marrëveshjes Bazë (Bruksel, më 27 shkurt, Ohër, 18 mars).
Por, përkundër kësaj, sipas ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, themelimi i “Zajdenicës”, siç e quanin në serbisht Lëvizja Vetëvendosje gjatë kohës sa ishin në opozitë, për të treguar dëmin që i kanosej vendit në rast themelimit të këtij mekanizmi, ishte parandaluar kur VV ishte në opozitë përmes hedhjes së gazit lotsjellës.
“Ne kemi arritur ta ndalim bosnjëzimin e Kosovës. A e dini qysh është bërë në Bosnje, ka nis me Zajednicë ka përfunduar me Republikë Serbe”, tha Haxhiu në një intervistë në ATV të mërkurën.
Madje, ajo nuk pajtohet që deputetët e partisë që i përket që kishin gjuajtur gaz lotsjellës në Kuvend të dënohen fare nga gjykata, meqë sipas saj, atëkohë është “mbrojtur Republika”.
“Deputet që kanë hedhur gaz nuk ish dashur të shkojnë para përgjegjësisë penale, sepse qëllimi nuk ka qenë kriminal, por ta mbrojnë Republikën dhe me ndalë Zajednicën. Vendimet e drejtësisë kanë qenë politike, ka dashur t’ia ndalojnë Albin Kurtit të kandidojë për deputet edhe e kanë arritur”, thekson ajo.
Pos kësaj, Haxhiu gjatë kësaj interviste ka adresuar kritika edhe ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve, derisa e ka akuzuar Kryeprokurorin e Prokurorisë Speciale, Blerim Isufanjn se “po i qëndrojnë dosjet e korrupsionit në zyrë”.
“Nuk mundet kryeprokurori i shtetit të emërohet Blerim Isufaj, pasi aty ku është nuk ka marrë veprime serioze, cila është ideja që dëshiron ta marrë një pozitë edhe më të lartë. Dosjet e korrupsionin qëndrojnë në Prokurori”, potencoi ajo.
“Një person që nuk ka integritetit profesional nuk mundet të jetë kryeprokuror. Mendoj që presidentja ka vepruar drejt, tash duhet procesi të përsëritet”, shtoi Haxhiu.
Haxhiu, ka vlerësuar se Këshilli Prokurorial i Kosovës, është në gjendjen “më të keqe” dhe “më të rëndë ndonjëherë”, meqë sipas saj, ky këshill është i interesuar për të bërë “vetëm pazare”.
Ndonëse sipas saj, Këshilli Gjyqësor është duke u përpjekur për të ndërmarrë veprime në përputhje me përgjegjësit, e njëjta gjë nuk mund të thuhet për Këshillin Prokurorial.
“Në rast se sistemi prokurorial nuk është në nivel të detyrës dhe prokurorët nuk i adresojnë përgjegjësit e tyre dhe në anën tjetër Këshilli Prokurorial nuk merr masa disiplinore ndaj prokurorëve që nuk e kryejnë detyrën, atëherë gjendja do të rëndohet”, ka vlerësua ajo./Demokracia